Zien Durrësi, Teuta luan të dielën kundër Tiranës në një natë speciale!

Gjithçka është gati për ndeshjen e parë të sezonit në shtëpi. Këtë të diel në mbrëmje, Teuta do të luajë kundër Tiranës, duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin “Niko Dovana”.

Një klasike që ka prodhuar shumë rivalitet dhe luftë sportive në dekadën e fundit, jo vetëm në fushën e blertë, por edhe për atmosferën në tribuna.

Për këtë duel kaq interesant, klubi ka planifikuar edhe një organizim të veçantë, ndaj tifozët duhet të mbushin shkallët e stadiumit për të shijuar një mbrëmje ndryshe të futbollit shqiptar.

Do të jetë një spektakël i vërtetë, me plot surpriza, ndaj tifozët nuk duhet ta humbasin këtë premierë.

Trajneri Edlir Tetova kërkon të debutojë me fitore në krye të ekipit të zemrës dhe, për ta arritur këtë objektiv, e ka të gjithë grupin në dispozicion.

Në stërvitjet e fundit, tekniku është fokusuar te loja fluide dhe goditjet në portë. Barazimi me Partizanin tregoi aspektet ku ekipi duhet të përmirësohet dhe stafi teknik i ka kushtuar një rëndësi të veçantë.

Atmosfera është e shkëlqyer dhe të gjithë janë në unison se do ta kthejnë ndeshjen me Tiranën në një festë të vërtetë sportive.

Në 5 takimet e fundit, Teuta ka arritur 2 fitore, dy sfida janë mbyllur në barazim, ndërsa një takim ka folur për kryeqytetasit.

Ndryshe nga një sezon më parë, presidenca ka afruar lojtarë me peshë, si Kallaku, Mala e Fangaj, që e kanë provuar shijen e titullit kampion. Por edhe të tjerë me eksperiencë ndërkombëtare, si portieri Paul Bernardoni, që ka përfaqësuar Francën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, apo Pedro, që vjen nga Portugalia.