“U ndava nga gruaja për ju dhe shikoni si luani…”! Emocionet e forta të Pep Guardiolës, zbulohet shpërthimi i tij ndaj lojtarëve të Man City

Pep Guardiola ka përjetuar momente shumë të vështira edhe jashtë fushës së futbollit, ndërsa një pjesë e tyre janë zbuluar në dokumentarin e ri “A Beautiful Obsession”. Trajneri katalanas, gjatë një bisede me lojtarët e Manchester Cityt, ka folur hapur për divorcin nga Cristina Serra, me të cilën kishte kaluar rreth tri dekada. Guardiola u shfaq tejet emocional dhe pranoi se ndarja kishte ndikuar shumë tek ai. Ai u tregoi futbollistëve se ende e dashuron ish-bashkëshorten, por se mes tyre kishte humbur pasioni.

“Jam i divorcuar nga gruaja më e bukur në botë. E dua jashtëzakonisht shumë, por kemi humbur pasionin”, ishte rrëfimi i tij para ekipit. Më pas, Guardiola e lidhi situatën e tij personale me futbollin, duke kërkuar nga lojtarët që të luanin me më shumë dëshirë dhe përkushtim. Ai theksoi se nuk kërkonte thjesht futbollistë të mirë, por lojtarë që të kishin pasion.

Në një tjetër moment, pas një paraqitjeje zhgënjyese të skuadrës, emocionet e tij shpërthyen. Guardiola kritikoi ashpër lojtarët dhe pranoi se po kalonte një periudhë jashtëzakonisht të rëndë, duke e bërë të qartë se problemet personale po ndikonin edhe në gjendjen e tij psikologjike. Rrëfimi tregon një anë krejt tjetër të Guardiolës, larg imazhit të trajnerit të qetë dhe dominues që tifozët kanë parë prej vitesh në pankinë.

Kështu luhet futbolli: duhet të luash për diçka që e mban brenda teje. Në jetë, çfarëdo që të bësh, bëje me pasion. Nuk dua lojtarë të mirë, dua lojtarë me pasion. Ndihem si një idiot i mallkuar. Po jap jetën time, divorcin tim, familja ime është larg – dhe të gjitha këto për shkakun tuaj. Dhe çfarë po më jepni ju mbrapsht? Performancën e mallkuar që sapo dhatë – të gjithë ju!”, tha Guardiola i tërbuar, duke e bërë të qartë se sa shumë ishte prekur nga pafuqia e ekipit. /Sport Ekspres/