“Mos luani për ata që ju ofendojnë”! Nevil Dede motivon ekipin për titullin kampion: Djema, Zoti jua bëftë hallall!

Egnatia ka sot mundësinë e artë për të fituar një tjetër titull kampion. Këtë herë me trajnerin Nevil Dede, që me një shkop magjik arriti të shndërrojë një ekip që nuk kishte asnjë shpresë për vendin e parë, në një skuadër që tashmë e ka titullin në duar.

Por për të festuar duhet që sot të mposhtin Dinamon, pa parë se çfarë ndodh në ndeshjen Vllaznia-Elbasani. Dhe kjo për meritë të Nevil Dedes, që e nisi me fitoren e madhe, 0-4 ndaj Elbasanit, për të vazhduar me një tjetër fitore të madhe ndaj Vllaznisë, duke bërë të mundur një skenar, që as vetë presidenti Demrozi ndoshta nuk e kishte imagjinuar.

Sot është detyra për të mundur Dinamon, paradoksalisht, sot Egnatia e ka për detyrë të fitojë titullin, ndërsa Nevil Dede ka pasur një shkrim për të gjithë futbollistët përpara kësaj ndeshje.

“Djem futbollistë,
Nëse luani për dinjitetin tuaj,
nëse luani për fanellën,
nëse luani për klubin,
nëse luani për shokun tuaj,
Zoti jua bëftë hallall!

Por mos luani kurrë për ata që sot ju ngrenë e nesër ju ulin.
Mos luani kurrë për ata që ju keqtrajtojnë.
Mos luani kurrë për ata që ju fyejnë apo ju ofendojnë.
Mos luani kurrë për ata që nuk ju respektojnë dhe nuk ju vlerësojnë.

Miqtë tanë arbitra,
Ndihmojini të ndihen të respektuar dhe të vlerësuar. Respektojeni dinjitetin e tyre njerëzor, sepse edhe ata janë pjesë e lojës sonë.
Le të garojmë me ndershmëri, respekt dhe dinjitet në çdo ndeshje.
Në fund, le të fitojë më i miri”