Renditja/ Tirana merr fitoren e madhe kundër Vllaznisë, Dinamo lë Partizanin jashtë Europës, çmenduri në fundin e tabelës

Sot është luajtur java e parafundit e Superiores, me ndeshjet që kanë prodhuar spektakël dhe kanë dhënë shumë emocione. Egnatia ka arritur të fitojë ndaj Partizanit në shifrat 2-0. Alijev shënoi golin e parë në minutën e 17 të takimit, ndërsa Bakajoko ka shënuar në minutën e 55 të takimit.

Nga krahu tjetër, Dinamo ka barazuar në shifrat 2-2 ndaj Vorës. Neziri dhe Bregu shënuan dy golat e parë, në pjesën e parë te Dinamo, por Kasalla nga penalltia në të 63 dhe Shehi në të 75, kthyen baraspeshën, 2-2. Me këtë rezultat, Dinamo ka siguruar zyrtarisht Final Four dhe Partizani është jashtë Europës.

Flamurtari ka zhgënjyer kundër Teutës duke mbyllur llogaritë e saj me Superioren për sezonin e ardhshëm, pasi ka barazuar 1-1 ndaj Teutës. Golit të Rasos në minutën e 12, iu kundërpërgjigj Boci në të 61.

Ndeshja më e rëndësishme e javës ishte klasikja Tirana-Vllaznia, e mbyllur në 1-0 falë golit të Rafës nga penalltia në të 15. Në fund gjakrat u ndezën, kryesisht te shkodranët, teksa Mala u ndëshkua me karton të kuq në të 84 dhe vetëm gjashtë minuta më vonë, të njëjtin fat kishte edhe Bajrami. Gjithashtu një fitore të madhe ka marrë Bylisi kundër Elbasanit, 2-1, me golin e Përndrecës në të 81, që i dha tre pikët e arta. /Sport Ekspres/