Vedat Muriqi është duke kaluar një sezon historik në La Liga. Aktualisht sulmuesi shqiptar ka arritur të realizojë plot 21 gola. Me këtë shifër, sulmuesi shqiptar mban vendin e dytë në listën e golashënuesve në elitën e futbollit spanjoll. Vendi i parë mbahet nga Kilian Mbappe, i cili ka realizuar 24 gola në kampionat. Megjithatë në ndeshjen e fundit, francezi është dëmtuar në muskulin e këmbës së majtë.
Një dëmtim që ka frikësuar jo pak madrilenët, ndërsa në faqen zyrtare të klubit thonë se nuk kanë një datë fikse për rikthimin e këtij lojtari. E sigurt është mungesa e tij ndaj Espanjol, ndërsa në dyshim do të jetë ndeshja kundër Barcelonës në datën 10 maj. Një shans i artë ky për Muriqin që në rast të një dopiete në takimin e radhës, do të afronte akoma më shumë distancën me francezin. /Sport Ekspres/