Dabulla ishte i ftuar në emisionin Mega Sport që transmetohet në A2 CNN. Ai ka folur sa i përket Tiranës dhe ka kujtuar deklaratën e fortë të dhënë disa kohë më parë, kur Tirana humbi në derbi me Partizanin. Atëherë Dabulla tha se Tirana ka rënë zyrtarisht nga Superiorja, por në vitin 2026, situata duket se po ndryshon.
“Kur isha për herë të fundit këtu që humbëm me Partizanin, unë thashë këtu që Tirana ka rënë nga Superiorja. E thashë sepse nuk mendoja se drejtuesit do të bënin ndonjë lëvizje të duhur në janar. Me atë që kam parë deri tani, kanë bërë disa lëvizje të duhura, kanë marrë disa lojtarë të mirë dhe shpresojmë se këta lojtarë do të bëjnë akoma më mirë në vazhdimësi.
Unë kam dëshirë të madhe që unë të gaboj në këtë parashikim. Shoh që ka një farë shkëndije, nuk mund ta quaj zjarr, por një shkëndijë që unë uroj të bëhet zjarr. Por ne jemi djegur aq shumë herë nga qulli, sa sado t’i fryjmë kosit, nuk më mbushet mendja. Dhe ndaj Flamurtarit nuk ishte fitore e pastër, ishin dy raste për të dyja ekipet, Tirana shënoi golin. Nuk është se vendosëm përfund kundërshtarin dhe e mbyllëm në portë”, tha Dabulla. /Sport Ekspres/