“Si t’ja shpjegoj djemve që humbëm një ndeshje të tillë”, Fabregasi habitet: Milani bëri 200 pasime, ne bëmë 700

Komo u mposht me rezultatin 1-3 nga Milani, pavarësisht lojës mjaft pozitive të zhvilluar. Fabregasi u shfaq mjaft i mërzitur përpara mikrofonit të “Sky Sport”. Trajneri spanjoll u shpreh se e ka të vështirë t’ja shpjegojë lojtarëve të tij se si e humbën një ndeshje të tillë. Ai vuri në pah statistikat që flisnin për Komon, ndërsa shtoi në fund se Milani e fitoi ndeshjen nga individualiteti.

“Më pëlqen të flas qetësisht pas ndeshjeve, por sot është e vështirë. Si t’ja shpjegoj djemve se e humbëm një ndeshje të tillë? Ndonjëherë keqkuptohem kur flas. E përsëris, është e vështirë për mua që të analizoj sot, parapëlqej që ta bëjnë të tjerët. Duhet të ishte një ndeshje e fituar, sepse ne e dominuam. Ne bëmë 700 pasime dhe Milani 200… Menjo bëri aq shumë pritje, pastaj Rabio fitoi ndeshjen. Ata janë lojtarë shumë të fortë, individualiteti fiton. Por skuadra ime luajti një lojë të shkëlqyer”, ka deklaruar Françesk Fabregasi./Sport Ekspres/