“Tirana po luan me zjarrin”, Bitri skanon Partizanin: Kundër Egnatias dhe Dinamos treguan se kanë nëvojë për përforcime në çdo repart

Eneo Bitri ishte pjesë e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN” përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë. Mbrojtësi shqiptar ka dhënë komentet e tij mbi klubet e “Abissnet Superiore”-s, ku favorit për fitimin e titullit sheh Egnatian, Vllazninë dhe Dinamon. Sa i përket ish-ekipit të tij, Partizanit, ai është shprehur se është e nevojshme të kryejë përforcime në secilin repart të lojës. I pyetur për Tiranën, Bitri është përgjigjur se bardheblutë po luajnë me zjarrin duke larguar 80% të lojtarëve.

“Ka pasur dy ndeshje që pretendoheshin të ishin ndeshje direkte me ekipet e final four-it. Para atyre dy ndeshjeve ka zhvilluar ndeshje shumë të mira. Përballë Egnatias dhe Dinamos treguan që kanë nevojë për përforcime për të arritur objektivat e klubit. Për mendimin tim ka nevojë për të treja repartet.

Tirana? Me sa kam parë nëpër media, ka larguar 80% të ekipit. Besoj se do të riformojë grupin. Por të largosh 80% të ekipit do të thotë shumë. Është si të luash me zjarrin. Ata po e provojnë, por shpresoj që të dalë mirë. Për titullin kampion jam mes Egnatias, Vllaznisë dhe Dinamos. Diferencat janë të vogla mes ekipeve”, është shprehur Eneo Bitri./Sport Ekspres/