Mbaruat? Tani është momenti im! Koha kur emri i Ilir Dajës dëgjohet më shumë se kurrë, gjithmonë e njëjta histori

Ilir Daja është padyshim një nga trajnerët shqiptarë më të suksesshëm. Europa është gjithmonë prova më e mirë për të treguar vlerat, përtej kufirit të kampionatit vendas dhe Daja e ka treguar në shumë raste sesa i vlen lëkura atje. Në fillim me Skënderbeun në grupet e Europa League, më pas me Ballkanin dy herë në grupet e Conference League dhe me Dinamon, duke eleminuar gjigandët e Hajduk Splitit të Kraocisë.

është gjithmonë e njëjta histori, emri i Ilir Dajës dëgjohet bujshëm dhe merr shpërndarje më të gjerë gjatë periudhës pas dimrit, që afron më shumë me verën. Kjo jo për shkak të rrezeve të diellit apo temperaturave më të larta, por sepse në atë moment loja nis që të bëhet më serioze.

Pikërisht kur kampionati vjen në momentin kulminant dhe vendoset titulli apo kur nis sezoni i ekipeve shqiptare në Europë. Pikërisht aty emri i Dajës ka një tjetër lakim pasi ai e pëlqen shumë garën që ka një vëmendje të madhe, nuk e gjen shumë motivimin në ditët e zakonshme.

E tillë ishte historia edhe këtë sezon me Dinamon, ku pas një shkëlqimi në Europë dhe ndaljes vetëm në fund nga grupet e Europës, kthehet në kampionat dhe bën një nisje që me siguri edhe vetë trajneri nuk e njihte ekipin e tij, e jo më të tjerët. Por teksa jemi në muajin janar mund të thuhet se historia ka ndryshuar, tërësisht madje. Në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, Dinamo numëron 4 fitore dhe 1 humbje dhe mbi të gjitha, ka fituar trofeun e Superkupës me Egnatian. Kjo tregon saktësisht faktin se në momentin kur gjithçka fillon të bëhet më serioze, Ilir Daja llogaritet ndryshe, ndërsa kur bëhet fjalë për ndeshjet e zakonshme, motivimi nuk është shumë i madh. /Sport Ekspres/