Ernest Muçi is on fire! Kështu ishte kënga e tifozëve të Tiranës për djaloshin shqiptar, me një thirrje të pasuar edhe te Legia e Varshavës. Lojtari i Kombëtares ndodhet në një formë fantastike teksa ka arritur që të shënojë një tjetër gol në ditën e djeshme.
Trabzonspori humbi në shifrat 4-3 ndaj Genclebirgit, por Muci shënoi nga penalltia dhe njëkohësisht dhuroi edhe një asist. Ky ishte goli i 7 për të në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit, por akoma më e rëndësishme është fakti se ka shënuar në 5 ndeshjet radhazi. Këtu Muci arriti rekordin e Paulo Henrique te Trabzonspor, brazilianit, i cili ishte lojtari i fundit që para 11 vitesh kishte arritur të shënonte në 5 ndeshje radhazi. Nëse shënon edhe në takimin e radhës, Muci do të shkruante vetëm emrin e tij në histori, por që gjithsesi e ka arritur atë duke barazuar rekordin e brazilianit. /Sport Ekspres/