Tashmë janë ndarë përfundimisht rrugët midis trajnerit Ditmar Bicaj dhe ekipit të Lushnjes. Një afrim që pritej me shumë entuziazëm dhe kuriozitet, veçanërisht pas rezultateve fantastike të këtij trajneri te Burreli.
Gjithçka ka ndodhur pas situatave të fundit në klub, ku rezultatet kanë munguar dhe ekipi ka vuajtur nga oshilacionet e njëpasnjëshme. Trajneri Bicaj sot ka pasur nje takim me kryebashkiaken Eriselda Sefa rreth 30 minuta në Bashki, ku të dy palët kanë parashtruar problematikat përkatëse.
Trajneri ka kërkuar me ngulm nderhyrje dhe blerje te reja ne mënyrë që ekipi të ndryshojë fizionominë e brishtë te lojës. Ndërkohë nga ana tjetër bashkia insiston të ketë futbollistë me pagesa sa më të ulëta me qëllim për të minimizuar shpenzimet.
Kriza e krijuar ka ndikuar ne lojë dhe ne klasifikim, lojtarët kanë tri muaj që nuk paguhen dhe madje ushqehen vetëm me një vakt në ditë dhe nuk grumbullohen para ndeshjeve që zhvillohen në Lushnje.
Në mes të gjithë këtij konfuzioni ideja e shitjes së klubit në ankand te privati mendohej si shpëtim, por edhe kjo lëvizje s’ka patur rezultat, gjë që ka dështuar…pasi nuk është gjetur interes konkret. Duke mos pasur zgjidhje Bicaj ka kërkuar mos vazhdojë projektin, ndërkohë kryetarja Eriselda Sefa e ka falenderuar ish trajnerin e Burrelit për kontributin e deritanishëm. /Sport Ekspres/