E theu mallkimin me portierin e Serbisë! Armando Broja i shpëtoi kokën me golin e shënuar, trajneri i Bërnlit e përqafon në fund të ndeshjes

Armando Broja është rikthyer! Sulmuesi shqiptar ka arritur që të realizojë golin që i mungonte prej kaq shumë kohësh në Premier League. Sulmuesi shqiptar kishte shumë kohë që nuk shënonte në elitën e futbollit anglez dhe ia ka dalë sot në ndeshjen mes Bournemouth-Burnley. Si për ironi të fatit, Broja ka zhbllokuar veten dhe ka thyer mallkimin duke tundur rrjetën e portierit të Serbisë, Petrovic.

Ishte njeriu që priti penalltinë e Rei Manajt në Tiranë dhe njeriu i cili pësoi atë gol të Manajt në Leskovac. Këtë herë Petrovic duhej të përballonte edhe një tjetër lajm të mirë për shqiptarët, Armando Broja e gjeti golin pikërisht në një ndeshje kundër tij. Pas dy ndeshjeve të luajtura si titullar te Burnley, sot sulmuesi shqiptar e nisi nga stoli kundër Borunemouth.

Kjo edhe për shkak të axhendës së ngjeshur të klubeve të Premier League, të cilat nuk kanë asnjë ditë pushimi as në periudhën e festave. Broja u aktivizua në minutën e 65 duke marrë vendin e Fleming dhe do të realizonte golin e barazimit në minutën e 90. Pas një krosimi nga krahu i djathtë, Broja u shkëput nga toka në stilin e Cristiano Ronaldos, duke lënë shumë poshtë tij kundërshtarin që po e mbulonte, për ta dërguar topin në rrjetë.

Një ndjesi e madhe çlirimi për futbollistin e Kombëtares që u nis menjëherë drejt tifozëve për të festuar duke goditur gjoksin dhe duke shpalosur gjithë fuqinë e tij edhe në një moment të tillë, pasi i mungonte goli prej shumë kohësh. Nga ana tjetër edhe Burnley-t i mungonte një rezultat pozitiv prej shumë kohësh pasi kishte 7 humbje radhazi në Premier League. Por me këtë gol të shënuar në minutën e fundit, Burnley merr një pikë dhe rrit akoma më shumë shpresat për të bërë mrekullinë dhe për të mbijetuar në Premier League. Në një tjetër humbje, trajneri Scott Parker do të shkarkohej. Parker e dinte fare mirë një gjë të tillë dhe nuk ka ngurruar për ta përgëzuar shqiptarin sot pas ndeshjes, megjithëse nuk dihet saktësisht se kush ishte më i cliruar pas atij goli, Broja apo vetë trajneri Parker. /Sport Ekspres/