Fenerbahçja ka barazuar sot me rezultatin 1-1 përballë Mançester Junajtedit në Ligën e Europës. Zhoze Murinjo ka pretenduar për një 11 metërsh gjatë lojës, por si përfundim ka parë kartonin e kuq përpara fytyrës së tij. Trajneri portugez ka folur pas ndeshjes për “TNT Sports”, ku nuk i ka kursyer ironitë për arbitrin Klement Turpin.
“Ai më tha diçka të pabesueshme. Më tha që në të njëjtën kohë mund të shihte aksionin në zonë dhe sjelljen time në vijën anësore. E përgëzoj, sepse është diçka absolutisht e pabesueshme. Paska shikim periferik. Gjatë ndeshjes me 100 km/h njërin sy e ka në situatën për penallti dhe syrin tjetër e ka në stol për të parë sjelljen time. Këtë shpjegim më dha. Për këtë arsye është një nga arbitrat më të mirë në botë”, ka deklaruar Zhoze Murinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/