“E dija që do të kthehesha”! Marash Kumbulla: Nuk je për këtë punë nëse ngec te gabimet, në Romë nuk më mbajnë mend si futbollist

Marash Kumbulla është duke kaluar një kohë të mirë te Espanjol. Pas disa performancave fantastike, mbrojtësi shqiptar arriti të shënonte edhe në La Liga. Një ndeshje si titullar me Shqipërinë në humbjen me Cekinë dhe më pas ulja në stol kundër Gjeorgjisë. Kumbulla është ftuar në mediat italiane, ku ka folur sa i përket periudhës së vështirë të kaluar te Roma dhe Sasuolo, mes dëmtimit dhe kritikave.

“Jemi vetëm në fillim të sezonit, ndihem mirë dhe po luaj mirë. Po gjej qëndrueshmërin, kjo është gjëja më e rëndësishme për një sportist. Shpresoj të vazhdoj kështu. Jam një lojtar që duhet të jem sa më mirë fizikisht, pas atij dëmtimit që pësova, shumë kolegë të mi të tjerë iu deshën disa muaj për t’u rikthyer në nivelet e larta. Fatkeqësisht në kohën time te Sasuolo, për shkaku ne dëmtimit, nuk po shprehesha mirë dhe u zhgënjeva me veten.

Më kërkuan te Espanjol, si trajneri dhe drejtuesit më bën të ndihem i rëndësishëm. Nuk më garantoi askush vendin e titullarit dhe të paprekshmit, por ndieva besimin e klubit. Jeta në Barcelonë është e bukur, jetoj në një apartament në qendër, bëj pazar, tifozët janë të apasionuar, por nuk ndërhyjnë. I përshtatet karakterit tim. Në Romë ishte e pamundur të mos bije në sy, nuk po them se është gjë e keqe, por një futbollist e vlerëson privatësinë. Tifozët e Romës ndoshta thjesht nuk më mbajnë mend si lojtar. Është pak e bezdisshme të pranosh kritika të ashpra. Nuk e shpreha dot potencialin tim në Itali, por nëse ngec në një gabim, nuk je për këtë punë. E dija që herët a vonë do të kthehesha”, tha Kumbulla. /Sport Ekspres/