Ndeshjet mes Serbisë dhe Zvicrës janë kthyer kaq shumë të shpeshta në këto vitet e fundit, aq sa edhe të gjitha inatet mes lojtarëve të dy ekipeve, janë zbehur disi nga përballjet e shumta. Këtë herë ndeshja në Leskovac u mbyll paqësisht në fushë, përtej fitores së serbëve që thyen mallkimin, por vetëm në Ligën e Kombeve sepse në Botëror ka qenë një histori tjetër.
Pa shumë histori kaloi ndeshja e Xhakës në Serbi, përtej pritshmërive për të pasur konflikte të reja. Në fakt, që përpara nisjes së ndeshjes, u kuptua se situata do të ishte më paqësore. Trajneri i Serbisë e cilësoi Xhakën si një kampion të madh dhe prej lojtarëve më të mirë në Europë, ndërsa nuk fshehu as vlerësimet për Xherdan Shaqirin.
Në fundin e ndeshjes, Graniti i dha dorën lojtarëve të Serbisë dhe pati një takim të ngrohtë me trajnerin e Serbisë. Por çfarë ndodhi këtë herë? Duket se kjo çështje ishte zgjedhur që përpara nisjes së ndeshjes duke mos i lënë asgjë rastësisë. Një plan disi djallëzor i serbëve që i bën një trajtim ndryshe mesfushorit shqiptar.
Xhaka kishte disa roje sigurie gjatë gjithë kohës që ishte në Serbi, me justifikimin për t’i ofruar më shumë siguri. Por arsyeja e vërtetë e kësaj lëvizje të Serbisë qëndron pas mbylljes së takimit. Kur ndeshja mbaroi, ishte një prej rojeve që hyri në fushë dhe qëndronte afër Granit Xhakës, duke e shoqëruar deri në dhomën e zhveshjes.
Me këtë lëvizje, serbët siguronin gjithçka në mënyrë që Graniti të mos bënte një tjetër lëvizje në shtëpinë e tyre, që do të ishte poshtëruese. Këtu flasim për veprime që Xhaka ka bërë në të kaluarën, si në Botërorin e fundit kur veshi fanellën e Jasharit. Pra nëpërmjet rojes së sigurisë, te Serbia kishin në kontroll çdo veprim të Granit Xhakës dhe kështu gjithçka kaloi në heshtje. /Sport Ekspres/