Shqipëria është larguar me humbje nga Praga. Kuqezinjtë janë mposhtur me rezultatin 2-0 nga Republika Çeke. Ndeshja u vendos nga Chory, i cili mban autorësinë e të dy golave, që u shënuan përkatësisht në minutën e 3-të dhe të 63-të të takimit. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për mikrofonin e “TV Klan”-it.
Laçi: “Fillimi i keq na e prishi pak lojën që kishim planifikuar. E njihnim kundërshtarin. Ajo 1-0 na prishi pak lojën. Në pjesën e parë i kishim nja dy raste për t’i bërë disa gjëra më mirë. Goli nuk erdhi. Fat i keq. Ne e kishim planifikuar që të ishim më të gatshëm për topat e dytë. Por kemi humbur shumë topa të dytë në pjesën e parë. U munduam, por na ndikuan ato minutat e para. Ata nuk i kishin harruar ato dy ndeshjet e fundit me ne. U futën për ta mbaruar lojën sa më shpejt. Por ne duhet t’i kishim bërë më mirë ato që kishim planifikuar”.
Hysaj: “Edhe ne e dimin që i kishte mbetur pak në kokë ajo ndeshje me Shqipërinë dhe ishin më të motivuar. Në 15 minutat e para u treguan shumë të fortë. E dinim që ata ishin shumë të fortë në lojën në ajër. Edhe golat ashtu erdhën. Ne e kishim rastin, mund të kishim barazuar ose mund të kishim fituar. Por nuk e bëmë. Pastaj ata shënuan golin e dytë dhe aty na u prenë këmbët pastaj. Duhet ta rrisim vetëbesimin, sepse ne vërtetë kemi një skuadër të mirë. Çekia po luante sot sikur ne ishim Spanja. Në dy ndeshjet e kaluara kemi luajtur mirë. Mos të kalojmë direkt në këto momente sikur po na bie gjithçka poshtë. Duhet ta mbajmë këtë nivel ku kemi shkuar”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/