Si rrallëherë më parë dhe ndoshta për herë të parë në historinë tonë, qendra e mbrojtjes së Shqipërisë po kalon formën e jetës në klubet e tyre europiane. Më parë ishim mësuar me një prej qendrave tona që të kishte formë të mirë dhe jo shpesh, që të dy qëndrat të ishin fjalë e parë në klubet ku luanin.
Por që 5 qendërmbrojtës të ishin futbollistët më të rëndësishëm dhe më me peshë në klubet e tyre, kjo ka ndodhur tani, për herë të parë në histori. Berat Gjimshiti është lojtari i padiskutueshëm i Atalantës, që vetëm pak ditë më parë shënoi golin e parë për ekipin nga Bergamo në sezonin e ri të Champions League.
Ardian Ismajli nuk ka nevojë për shumë koment, është kthyer në qendërmbrojtësin më të komentuar jo vetëm te Empoli, por edhe në Itali. Në një qendër me tre, Ismajli ka rolin më kyç në ekip duke u gjetur në zemrën e mbrojtjes dhe disa raste me shiritin e kapitenit. Empoli ndodhet në vendin e 7 në Serinë A dhe pas gjashtë ndeshjeve numëron vetëm dy gola të pësuar. Më pak se Empoli ka pësuar vetëm Juventusi, që të jemi më të saktë, e ka ruajtur portën ende të paprekur.
Madje edhe ndeshja direkt mes tyre, Empol-Juventus, përfundoi në barazimin pa gola 0-0, atje ku Ismajli futi në xhep Vlahovic. Për të kaluar më tej, Marash Kumbulla ka gjetur golin e parë me Espanjolin në La Liga. Që në debutimin e tij në Spanjë, mediat atje nisën të shkruanin se ky ishte Marash Kumbulla që kaloi me bujë nga Verona te Roma dhe jo Marash Kumbulla që zhgënjeu në kryeqytetin italian.
Koha u dha të drejtë pasi Kumbulla është titullar i padiskutueshëm, ka qenë në super formë këtë sezon dhe sot shënoi golin e tij të parë me fanellën e Espanjol kundër Mallorca në La Liga. Për të vazhduar më tej, Arlind Ajeti po shkëlqen në Turqi me Bodrumspor.
Kjo skuadër ndodhet në vendin e 8 në elitën e Turqisë, ndërsa edhe sot në përballjen kundër Kasimpasa, Ajeti është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes. Seferi do të ndëshkohej me karton të kuq në minutën e 45, por Arlindi punoi edhe për shokun e tij që të mos pësohej goli, pavarësisht se luajtën me 10 lojtarë. Ashtu si Kumbulla, edhe Ajeti ka disa ndeshje radhazi që po mban super formë te Bodrumspori në Turqi.
Për të vazhduar me Enea Mihajn, ky lojtar po mban shiritin e kapitenit te Famalicao në Portugali. Kjo skuadër ndodhet në vendin e 7 në elitën e Portugalisë dhe është mes ekipeve që kanë pësuar më pak gola këtë sezon, 8 javë të kaluara dhe vetëm 4 gola të pësuar. Ndërkohë sipas vlerësime të Flashcore, në 7 ndeshjet e fundit të Mihajt te Famalicao, nota e tij më e dobët ka qenë 7.1. Kjo tregon shumë rreth super paraqitjeve të këtij lojtari në Portugali. Këta janë 5 qendër mbrojtësit që po kalojnë formën e jetës në klubet ku luajnë, duke mos llogaritur këtu edhe talentin e ri Maldin Kacurrin që ka debutuar me ekipin e parë të Artetës, që do ta dërgonte në 6 numrin e tyre. /Sport Ekspres/