Dinamo-Laçi ka përfunduar me rezultatin 2-1. Java e 8 e “Abissnet Superiore”-s është hapur me fitoren e dinamovitëve. Nëndetësja ka shënuar nga një gol në secilën pjesës për të mbërritur në fund te tre pikët. Fillimisht ishte Itodo ai që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 22-të, ndërsa në minutën e 54-t ishte Zabërgja ai që shënoi golin e dytë.
Ndërkohë Kurti ngushtoi shifrat në 2-1 për Laçin në minutën e 97, por ishte tepër vonë për të shmangur humbjen. Ilir Daja mori kështu tre pikët e radhës në Superiore, të cilat e dërgojnë në krye të tabelës së renditjes. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Daja (Dinamo): “Po marrim pikët, por kemi probleme me lojën. Megjithëse jo në të gjithë 90 minutëshin. Një pjesë të fajit e kam unë, sepse ka edhe gabime të nivelit taktik. Ishin gjërat e thjeshta, që me 2 apo 3 lëvizje, mund të pështjellonim ekipin kundërshtar. Kështu që po e delegoj fajin një pjesë te lojtarët dhe një pjesë te vetja ime. Ndërprerja nga Kombëtaret është një lajm i mirë për ne. Kemi bërë një start jo të mirë të kampionatit dhe lojtarët ende nuk kanë atë pjesën e vetëbesimit. Është gati një muaj që unë jam në drejtimin e Dinamos. Kemi filluar të përmirësojmë diçka, por jemi shumë larg asaj ku duam të jemi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/