VIDEO/ Meguajëri hyn nga stoli dhe shpëton Mançesterin në minutën e 91-të, i heq Portos fitoren nga duart

Mançester Junajtedi ka pasur një mbrëmje të vështirë në “Estadio do Dragao”. “Djajtë e kuq” kaluan në avantazh që në minutën e 7 me anë të Rashfordit, ndërsa në të 20-n ishte Hojlundi ai që dyfishoi shifrat. Por rrjedha e lojës merr një drejtim krejt tjetër në minutën e 27, kur Pepe e dërgoi topin në rrjetë për Porton.

Ekipi portugez barazoi rezultatin në minutën e 34-t me anë të Omorodionit, i cili më pas do të përmbyste ndeshjen në minutën e 50. Si për të mos mjaftuar rezultati në humbje, Mançester Junajtedit i duhet të luajë me 10 lojtarë nga minuta e 81-të e takimit, pas daljes me karton të kuq të Bruno Fernandezit.

Megjithatë shpëtimi i “djajve të kuq” erdhi nga stoli dhe quhej Herri Meguajër. Mbrojtësi anglez tundi rrjetën me kokë në minutën e 91-të, duke i hequr Portos fitoren nga duart. Ndeshja përfundoi me shifrat 3-3 dhe ishte e vlefshme për javën e dytë të Ligës së Europës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/