Xabi Alonso e prek Milanin në plagën e vjetër para ndeshjes në Champions League: Nuk harrohet finalja e 2005 e Stambollit, flasim ende për atë natë

Milani do të përballet kundër Leverkusen në transfertë në ndeshjen e mesjavës. Kjo përballje është e vlefshme për Champions League, ndërsa trajneri i gjermanëve është një figurë e njohur mirë edhe për italianët, Xabi Alonso. Para ndeshjes, Alonso ka zgjedhur ta prek Milanin në plagën e vjetër, në finalen e humbur në vitin 2005 ndaj Liverpul, me kthesën e pabesueshme dhe historike të ekipit anglez.

“Ishte themelore për karrierën time ajo finale, kanë kaluar 20 vite dhe ne ende flasim për atë natë. Është një kujtim i bukur ai i Stambollit, më pas dy vite më vonë humbëm nga Milani, por ajo fitore në 2005 ishte e pabesueshme. Megjithatë ka kaluar, Milani është histori në Champions League, ka pasur lojtarë të mëdhenj dhe ka qenë nderi ynë”, tha Alonso. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/