Luis Alberto ka shpjeguar largimin e tij nga Lacio. Në një letër të publikuar nga “Cronache di Spogliatoio”, mesfushori ka kritikuar mënyrën se si klubi i ka trajtuar futbollistët e vetë. Alberto është shprehur se pas largimit të Igli Tares dhe Simone Inzagit humbi harmonia në ekip.
“Nuk do të isha larguar kurrë nga Lacio. Do të kisha qëndruar për gjithë jetën… Pse u largova? Më thoni një që u largua mirë nga Lacio. Ata këtë bëjnë. Shikoni Kataldin tani… ai ishte atje që kur ishte fëmijë. Është turp, sepse më pas sheh skuadra të tjera që sillen ndryshe. Të paktën të bëjnë të thuash përshëndetje ose të japësh një konferencë për shtyp. Radu, por edhe Luliçi dhe Milinkoviç-Saviçi, asnjëri prej tyre nuk dha. Të gjithë largohen keq se nuk flasin në fytyrë, është turp. Lacio është një klub i veçantë, por jo për njerëzit brenda tij, por për atë që është jashtë. Kam shumë miq që janë tifozë, kur flet me ta (Lacio) është gjithçka. Ka njerëz që e vënë para familjes.
Ne ishim të lumtur brenda sepse Inzagi dhe Tare ishin aty. Me Iglin u grinda një mijë herë, por e dinim që ishim dy njerëzit e duhur dhe e gjetëm arsyen. Pas kësaj periudhe gjithçka përfundoi. Ky ishte ndryshimi, edhe kur Sarri u largua, cikli kishte përfunduar. Sapo isha rinovuar, për mua ideja ishte të qëndroja për gjithë jetën. Megjithatë, nuk doja të qëndroja në një vend ku nuk mund të shihja asgjë të pastër. Nuk kam heshtur kurrë. Ishte koha të largohesha dhe të isha më i qetë në aspektin futbollistik”, ka shpjeguar Luis Alberto./Halit Delibashi-Sport Ekspres/