Real Madridi pret Espanyol në Santiago Bernabeu sonte nga ora 21:00 dhe do të shohim nëse Carlo Ancelotti më në fund do t’i drejtohet ndryshimeve të shumëpërmendura për shkak të kalendarit të ngjeshur. Gazetari spanjoll Julio Pulido ka kritikuar Ancelottin dhe beson se italiani vazhdimisht ankohet pa ndryshuar asgjë.
“Shpresoj për një version më të mirë të Realit, ka kaluar një muaj nga fillimi i kampionatit dhe ata ende kanë të njëjtat probleme si në fillim të sezonit. Ancelotti tha se e zbuloi problemin, por kundër Stuttgartit nuk pashë diçka ndryshe, ai ruan të njëjtat probleme në tërheqjen e topit, intensitetin kur nuk e ka topin dhe pozicionin e lojtarëve në sulm.
Nuk e kuptoj pse ai nuk provon me Mbappen në të majtë, mendoj se kjo do të zgjidhte problemet në sulm”, tha Pulido dhe shtoi: “Ancelotti ankohet shumë për kalendarin sepse të gjithë e bëjnë këtë, por javë pas jave ai luan me të njëjtët edhe pse ka një listë të gjerë. Tani nuk mund të përballojë të dështojë sepse mund të vijë një distancë e konsiderueshme nga Barça, por nëse shikojmë historinë e Ancelottit, nuk e pëlqën aspak rotacionin. Ai nuk po e bën këtë tani, duhet të shohim nëse do të shpërblehet në fund apo nëse kjo do t’i kushtojë”, tha gazetari spanjoll. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/