Gert Bogdani është ndarë nga jeta ditën e sotme në mënyrë të parakohshme. Politikani shqiptar ka lënë këtë botë në moshën 44-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak. Armand Duka ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Gert Bogdanit. Kreu i FSHF-së ka vlerësuar kontributin e lënë prej tij në politikën shqiptare, si edhe faktin se ishte një dashamirës i madh i futbollit.
“Jam i tronditur për lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit. Ky është një moment i dhimbshëm për familjen, miqtë dhe gjithë ata që patën fatin të njihnin një njeri me vlera të jashtëzakonshme si Gerti.
Ai ishte një personalitet i rrallë, me integritet dhe përkushtim të pashoq, që dha kontribut të rëndësishëm në politikën shqiptare, por njëkohësisht ishte edhe një dashamirës i madh i futbollit, që nuk mungonte në stadiumet shqiptare si tifoz.
Humbja e tij lë një boshllëk të madh, por trashëgimia e tij do të jetojë në kujtimet e gjithë atyre që e vlerësuan për zemrën e tij të madhe dhe përkushtimin e tij ndaj Shqipërisë. Në këto momente të vështira, i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Bogdani dhe të gjithë të afërmve të tij. Pushoftë në paqe”, është shprehur Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/