Pak minuta më parë janë mbyllur të 5 ndeshjet e Superiores për ditën e sotme. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, situata duket më e qartë, përveç Final Four ku ka ende duele. Laçi fitoi me shifrat 1-0 kundër Tiranës falë golit të shënuar nga Prodani në minutën e 62. Nga ana tjetër Vllaznia fitoi në aksionin e fundit dhe minutën e fundit kundër Dinamos, falë realizimit të Dodaj. Ndërkohë Partizani do të fitonte 1-0 ndaj Skënderbeut me Mensah. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Mehmeti (Dinamo): “E kam thënë edhe më përpara që është një kampionat i çmendur. Më vjen keq, sepse në këto ndeshjet e fundit kemi luajtur mirë. Kemi pasur raste flagrante. Ishim dominantë ndaj kundërshtarit. Të pësosh në atë minutë, është mungesë eksperience. Një barazim sot, do na çonte më afër final four-it. Dua t’i jap një mesazh lojtarëve, që prodhojnë lojë dhe nuk duhet ta kthejnë fitoren në problem. Por ky është futbolli, i paparashikueshëm. Po nuk bëre, do të pësosh. Ne duhet të shohim veten. Duhet të marrim atë që na duhet, pikët. Prodhojmë lojën, por në fund bëhet mbledhja e pikëve. Ajo të çon në ‘final four’”.
Shehi (Partizani): “Është ndeshje që ka vlera. Vinim pas një ndeshjeje derbi dhe dihet që derbi është një ndeshje që të shkarkon shumë. E rëndësishme ishte që të kishim të njëjtin impenjim. Kemi qenë shumë afër portës. Kur kërkon dhe ngulmon, atëherë edhe shpërblehesh. Më vjen mirë që lojtarët e stolit futen dhe janë të rëndësishëm për skuadrën. Në aspektin psikologjik pres që të kemi vlerësim situatash, pavarësisht se ndaj kujt luan. Nga ana tekniko-taktike, mendoj që skuadra po bën mirë. Nuk kemi shumë ndryshime. Kemi për të përmirësuar shumë. Duhet t’i finalizojmë rastet. Jemi në një fazë delicate dhe nuk do të vijnë gjithmonë kaq raste. Duhet të jemi më cinikë. Vendi i parë? Do të tentojmë të bëjmë maksimumin dhe të marrim maksimumin në këto ndeshje. Këtu është çështje mentaliteti. Pavarësisht cilës skuadreje luajmë, duhet të marrim maksimumin”.
Brdariç (Vllaznia): “Sot ishte një punë e fortë në fushë dhe jashtë saj. Pjesa statike ndryshoi pak sot pa Krymin. Por vendosëm Salën dhe Alivodën në mesfushë. Bënë gjëra të mira, por nuk kanë shumë përvojë. Lojtarët e merituan fitoren, por me pak fat. Momenti është në krahun tonë. Ne kemi investuar shumë për këtë fitore. Urime klubit që shkuam në ‘final four’. 20 minutat e para më pëlqyen, por bëmë shumë gabime teknike dhe e lamë kundërshtarin të kishte disa raste. Në pushim të 45 minutëshit ndryshuam pak dhe gjetëm më shumë stabilitet. Megjithatë, në 2-3 raste ishim me fat që nuk pësuam gol. Në fund fituam 1-0 dhe është një rezultat shumë i mirë për ne. Jam i kënaqur me zëvendësimet. Kjo tregon që nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Nëse duam të arrijmë një objektiv, kemi të gjithë ekipin gati. Kjo ishte një punë edhe e trajnerit më përpara. Titulli kampion? Sot jemi shumë të gëzuar që kemi arritur final 4, një objektiv i madh për ne. Kemi edhe 2 ndeshje. Gjithçka mund të ndodhë”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Për mendimin tim, sot ishte një ndeshje për barazim. Nuk mund të them që e meritonte Partizani të fitonte. Ndoshta në 20 minutat e fundit me topin e gjatë Partizani bëri presion dhe nuk reaguam mirë. Rashica pati një rast. Të them të drejtën nuk i pashë direkt rezultatet e skuadrave të tjera. Por para 10 minutave i pashë. Vjen Laçi shumë shpejt dhe në fund e kemi me Vllazninë në Shkodër. Gjithçka është e hapur. E uroj Partizanin për fitoren, por sot ishte një lojë për barazim. Do të ishim të kënaqur edhe me një pikë sot. Jemi në lojë dhe do luftojmë fortë deri në fund”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/