Edhe pse jetëgjatësia e futbollistëve është rritur ndjeshëm kohët e fundit, është e qartë se stërvitjet intensive dhe ndeshjet lënë gjurmë të mëdha në trupin e tyre. Këtë e ka kuptuar Raphael Varane, i cili kishte këshilla të veçanta për djalin e tij shtatëvjeçar. Varane, i cili kohët e fundit ka pasur shumë probleme me lëndimet, u bë i vetëdijshëm për këtë. Por ajo që Varane ka frikë janë pasojat që ai është i sigurt se një ditë do të ketë në vitet e tij të mëvonshme.
Në një intervistë për L’Equipe, mbrojtësi pranoi se po ndërgjegjësohej gjithnjë e më shumë për pasojat e të luajturit futboll dhe se për këtë i dha këshilla edhe djalit të tij. Djali i tij shtatëvjeçar luan futboll dhe Varane i tha atij që ta shmang sa më shumë goditjen e topit me kokë.
“Djali im luan futboll dhe unë gjithmonë i them atij të mos e godasë topin me kokë. Nëse të gjitha ato goditje nuk të lënë gjurmë menjëherë, ne e dimë se pasojat vijnë më vonë dhe janë shumë traumatike.
Nuk e di sa do të jetoj, por e di dhe jam i vetëdijshëm që e kam dëmtuar trupin. Në fillim të këtij sezoni kam goditur topin me kokë disa herë në ndeshjet e United dhe në ditët në vijim jam ndjerë shumë keq, lodhje, si dhe probleme me shikimin që nuk kishin ndodhur më parë.
Si një futbollist që luan në nivelin më të lartë, ne jemi mësuar me dhimbjen dhe të jemi si ushtarë, djem të fortë dhe një shembull i forcës fizike. Por simptomat e gjithë kësaj janë të padukshme dhe pasojat me siguri do të vijnë më vonë. Unë jam ende i ri, por tashmë po i ndjej pasojat dhe pyes veten se çfarë do të ndodhë më vonë”, tha Varane. /Sport Ekspres/