Mario Mitaj është pranë realizimit të një hapi gjigant në karrierën e tij. Juventusi po mban në vëzhgim mbrojtësin shqiptar dhe pas përfundimit të Kampionatit Europian pritet të paraqesë një ofertë zyrtare për Lokomotivën e Moskës. Klubi rus i ka vendosur edhe çmimin kartonit të Mitajt, të cilin e vlerëson me 8-10 milionë euro.
Ish-futbollisti i Lokomotivës së Moskës, Bulykini ka thënë se Mitaj do të kërkojë menjëherë largimin për t’u veshur bardhezi. Ish-sulmuesi rus thekson se është një fat i madh të kesh një ofertë nga Juventusi, pasi diçka e tillë mund të të ndodhë vetëm një herë në jetë.
“Nëse ka interes nga Juventusi për Mitajn, atëherë ne mund ta shesim Marion në afatin kalimtar të verës. Pse jo? Do të ketë kohë për të gjetur një zëvendësues dhe shuma prej 8-10 milionë eurosh për çdo buxhet të klubit RPL (Premier Ligës ruse) do të jetë një ofertë e denjë.
Sigurisht, Mitaj do të dëshirojë të kalojë menjëherë te Juventusi nëse ka ndonjë ofertë specifike. Mendoj se Mario do të flasë me drejtuesit e Lokomotivës në mënyrë që të lirohet sa më shpejt, sepse një ofertë nga Juventusi vjen një herë në jetë dhe disa as nuk e marrin atë”, tha Dimitri Bulykini në një bisedë me korrespondentin e “Championship”, Vladislav Kruglovin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/