Mosaktivizimi i Brojës shqetëson Chelsea-n, Fulhami prish planet e bluve të Londrës

Armando Broja nuk po merr minutat e pritura te Fulhami. Sulmuesi shqiptar u transferua në ditën e fundit të merkatos së dimrit, e madje në kontratë ishte vendosur edhe një klauzolë aktivizimi, e cila do të zeronte kostot e huazimit të tij në fund të sezonit. Por Munizi ka shkëlqyer që nga mbërritja e Brojës në Fulham, duke bërë që 22-vjeçari të qendrojë në stol.

Mungesa e minutave ka shqetësuar Chelsea-n. Sipas mediave pranë klubit anglez, blutë e Londrës kishin thurur plane të tjera për Brojën. Chelsea synon të mbushë arkat në verë nga shitja e lojtarit shqiptar. Në “Stamford Bridge” e vlerësojnë kartonin e Brojës 50 milionë paundë, por mungesa e aktivizimit pritet ta ulë ndjeshëm këtë shifër./Halit Delibashi-Sport Ekspres/