“Viti historik për ne”! Armand Duka “u hedh dorashkën” në Greqi: Pse jo, uroj të kemi një ndeshje Shqipëri-Greqi

Shqipëria i ka mrekulluar të gjithë tifozët tanë dhe njëkohësisht opinionin sportiv të huaj me rezultatet e arritura në kualifikueset e Europianit. Kreu i FSHF, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “Gazzeta.gr” në Greqi, atje ku ka folur më shumë rreth arritjes fantastike të kuqezinjëve.

“Shqipëria u kualifikua në Europian edhe më parë, por ta mbyllësh i pari në një grup me pesë ekipe dhe të jesh mes 11 ekipeve më të mira për fazën kualifikuese ishte diçka aq e bukur dhe e pabesueshme për ne, të jemi të sinqertë. Kjo ka qenë ecuria më e mirë e Shqipërisë, me rezultate pozitive, e bukur për t’u parë, me gola të jashtëzakonshëm dhe me vetëm një humbje në 8 ndeshje.

Shqipëria ka pasur mbrojtjen e tretë më të mirë në kualifikuese. Kjo është arritja e të gjithëve, e lojtarëve, e stafit teknik, e FSHF, padyshim që edhe e tifozëve që e kanë mbështetur Shqipërinë në shtëpi dhe transfertë. Sa i përket stafit të trajnerëve, për ta nuk ka rëndësi nëse një lojtar luan në Shqipëri, Korea apo në një vend tjetër. Ky është padiskutim viti më i suksesshëm për Shqipërinë e futbollit. Është merketing i shkëlqyer për ne, e gjithë bota flet për kualifikuesen e Shqipërisë. Greqia? Keni ende shanse për të kaluar nga Liga e Kombeve dhe uroj se do të jeni edhe ju aty. Dhe pse jo, të shpresojmë se do të kemi një ndeshje së bashku”, tha Duka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *