“UEFA Regions’ Cup” / Nisin përgatitjet për turneun ndërkombëtar. Ardian Haçi, trajneri i ri i Kombëtares së futbollit amator

Shqipëria për herë të parë në histori do të luajë shanset për të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar për futbollit amator “UEFA Regions’ Cup” 2024-25. Pas hedhjes së shortit kuqezinjtë u njohën edhe me kundërshtarët që do të përballen në raundin para–eliminator, Armenia dhe Estonia.

Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Puna ka nisur menjëherë për të bërë një përfaqësim sa më të mirë. Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri i cili ishte prezent edhe gjatë hedhjes së shortit tregoi në një prononcim për fshf.org se për Shqipërinë është arritje dhe vlerësim i madh nga UEFA që është bërë pjesë e këtij kompeticioni shumë të rëndësishëm për futbollin amator.

“Duke marrë parasysh që ‘UEFA Regions’ Cup’ hyn në vitin e 13-të të organizimit të këtij kompeticioni, për ne ishte një arritje e madhe, një vlerësim shumë i madh që UEFA na bën duke na pranuar të jemi pjesë e këtij kompeticioni. Duke parë dhe pjesëmarrjen tonë në disa kompeticione amatore, në fund të hedhjes së shortit patjetër që kërkuam të ishim pritës të turit para -eliminator që do të marrim pjesë. Duke qenë se jemi për herë të parë që marrim pjesë jemi shumë të lumtur që ky kampionat me 20 maj do të zhvillohet në Shqipëri dhe do të kemi mundësi që për të gjithë sportdashësit dhe për të gjithë futbollistët amator t’i dhurojmë kënaqësi që ato të kenë mundësi të luajnë në vendin e tyre”, – u shpreh fillimisht Jurgen Demneri.

Më tej, Drejtori i Futbollit Amator në FSHF komentoi edhe shortin e raundit para–eliminator duke shpalosur si objektiv kualifikimin.

“Ne do t’i vlerësojmë në maksimum të dy kundërshtarët, nuk ka kundërshtar të lehtë në momentin që t’i ke të bësh me futboll amator sepse lojtarët amator ndryshojnë nga viti në vit dhe nuk është e njëjtë siç mund të jetë futbolli profesionit që të paktën e di se ku është niveli i Armenisë dhe Estonisë. Ajo që ne presim të arrijmë nga ky grup është patjetër kualifikimi dhe pse jo në raundin e dytë ku mund të përballemi me Çekinë, Bosnjen dhe Skocinë, të tentojmë të jemi mes dy më të mirëve” – tha Jurgen Demneri.

Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri prezantoi edhe trajnerin e ri që do të udhëheqë ekipin Kombëtar të futbollit amator. Ai është Ardian Haçi me një eksperiencë të madhe trajningu në Kanada dhe një suportues i futbollit amator në vendin tonë.

“Trajneri i ri i ekipit Kombëtar të futbollit amator do të jetë Ardian Haçi. Vjen nga një eksperiencë trajningu në Kanada dhe është një ndjekës i rregullt i kampionatit amator, është një suportues, një person që gjatë katër viteve të organizimit ka qenë gjithmonë pjesë e kampionatit amator” – përfundoi Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri.

Trajneri i ri i ekipit Kombëtar për futbollin amator Ardian Haçi tregoi në një prononcim për fshf.org se puna për të bërë një paraqitje sa më të mirë dhe dinjitoze ka nisur. Më tej ai shtoi se të shtunën në “Shtëpinë e Futbollit” do të zhvillohet një seleksionim me 75 lojtarë për të përzgjedhur futbollistët e duhur që do të udhëheqin Shqipërinë në këtë rrugëtim.

“Unë jam Ardian Haçi, trajneri i ri i Kombëtares së amatorëve në “Regions’ Cup”. Ndjehem i vlerësuar për detyrën e caktuar. Vij nga një eksperiencë disa vjeçare jashtë vendit në Kanada, plus edhe faktit që kam disa kohë që merrem dhe suportoj futbollin amator në Shqipëri, duke qenë pranë disa ekipeve në kampionatin amator. Puna ka filluar për këtë pjesë, ne kemi rreth 1 muaj që merremi për të përzgjedhur lojtarët që na duhen për Kombëtaren. Ditën e shtunë kemi lënë një takim me 75 lojtarë apo edhe më tepër për të përzgjedhur ata që do të jenë përfaqësuesit e këtij kompeticioni. Organizimi bëhet pranë “Shtëpisë së Futbollit”, me gjithë stafin teknik, ne do të bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve të duhur në mënyrë që të kemi një përfaqësim sa më dinjitoz. Besimi është shumë i madh duke qenë që edhe cilësia e futbollit tonë amator është në nivele të larta. Shpresojmë që me këtë pjesëmarrje ne të ngremë edhe nivelin për futbollin amator që të ketë edhe një pjesëmarrje sa më të madhe dhe dëshirë për të luajtur këtë futboll. Ne i kemi ndjekur nëpërmjet videove kundërshtarët por ende nuk kemi një figurë të qartë të tyre. Do vazhdojë puna nëpërmjet stafit teknik për t’i njohur më mirë, në mënyrë që ne të paraqitemi sa më denjësisht në datat e caktuara” – përfundoi trajneri i ekipit Kombëtar të futbollit amator Ardian Haçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *