Roma ka barazuar mbrëmë në Zvicër kundër Servette me shifrat 1-1. Ndërkohë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Jose Mourinho ka prekur në deklaratë edhe rivalin e tij si trajner, Pep Guardiolën. Jose Mourinho ishte shumë i zhgënjyer me këtë rezultat dhe pati shumë kritika për lojtarët e tij gjatë intervistës pas ndeshjes me Sky Sport Italia. “Mundësitë e humbura ishin të rëndësishme, por nuk më pëlqeu fillimi i pjesës së dytë, gjë që ndodh shpesh. Gjithmonë përpiqem të stimuloj lojtarët gjatë pjesës. Ne luajtëm sipërfaqësisht”, tha Mourinho. Portugezi nuk përmendi në mënyrë specifike lojtarët që ishin në performancë të keqe. Ai tha se kishte disa, duke përfshirë edhe lojtarë të ardhur nga stoli.
“Kjo është dramatike, nuk e kuptoj. Unë kam 150 ndeshje në Champions League, që është “më e rëndësishme” se kjo garë, por motivimi im për ato ndeshje është shumë i lartë. Dhe njerëz që nuk kanë histori në ndeshjet evropiane luajnë në mënyrë sipërfaqësore. Fatkeqësisht kam vetëm një Critante, nëse do të kisha tre apo katër, do të hidhja të gjithë në fushë. Unë nuk jam Guardiola. Ai është i vetmi që mund të përballojë t’i bëjë lojtarët që të paguajnë për gabimet e tyre”, tha Mourinho duke nënkuptuar stolin e luksit që ka Guardiola për shkakun e investimeve të mëdha që ka bërë Manchester City. Pra sipas Mourinho-s, lojtarët që gabojnë te Roma, do të vazhdojnë të luajnë pasi nuk ka të tjerë zëvvendësues të denjë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/