A do t’i jepte para borxh njerëzve për të shkuar në Gjermani? Munishi e bën të qartë: Aq shumë kërkesa sa do vijnë, duhet të marrë borxh për vete

Ismet Munishi ishte i ftuar në emisionin “Koha Shtesë”. Trajneri i njohur shqiptar ka dhënë mendimet e tij dhe ka bërë analizën sa i përket kësaj performance fantastike të Shqipërisë, por edhe duke komentuar vazhdimësinë në Europian. (Videon e plot të emisionit e ndiqni më poshtë)

“Unë nuk dua në shortin e Europianit vetëm Anglinë dhe Francën. Vetëm këta nuk i dua se kanë shumë cilësi në ekip. Me të tjerët mund të konkurrojmë, Spanja nuk është mirë, Italia nuk është mirë, Gjermania nuk është mirë. Nuk do i doja, dhënë Zoti që të shkojmë deri në fazën çerekfinale apo gjysmëfinale.

Serbia? Unë nuk do e doja as këtë rival.  Nuk do e doja pasi do të përzihen politika me sportin, mund të rëndoheshim shumë dhe mund të humbisnim. Përshembull më kujtohet ndeshja në Botëror, Zvicër-Serbi. Serbia kishte shumë kualitet, ndoshta edhe më shumë se Zvicra, por shkaku i ngarkesës së madhe emocionale bëri që të humbnin fare lehtë kundër Zvicrës. Djali im do Serbi-Shqipëri, edhe djali e do këtë, por ne nuk duhet të mendojmë si djali im.

Mitaj? Më ka befasuar shumë si lojtar se nuk e kam ndjekur më para. Nuk e kam ndjekur as te ekipi i tij në Rusi. Është një lojtar fantastik, por nuk i jap shumë meritë Silvinjos për të se ka luajtur në vendin e Mitajt dhe ia ka njohur menjëherë kualitetin, meritë ka te Asani. (qesh). Në fakt, unë kam parë edhe Silvinjon si lojtar, por Mitaj ia kalon, është më i mirë (qesh). Të bëhet xheloz Silvinjo për Mitajn? Jo, Silvinjo e ka mbytur prej kohësh futbollistin brenda vetes, ai krenohet me lojtarët e tij tani.

Gjimshiti nuk e ka pasur kurrë në mëdyshje Shqipërinë as kur ngeli jashtë Europianit në Francë, që nuk e meritoi. Ai heshti. Është profili i një lideri, futbollisti fantastik dhe me një karakter të çeliktë. Ky është Gjimshiti, ne na ka bërë me këtë sjellje dhe lojë që të na vijë 100 herë më keq që atëherë nuk e kemi marrë. Gjimshiti është shembull edhe për lojtarët e rinj që çojnë hundën përpjetë menjëherë. Futbolli ka edhe padrejtë, por ky është shembulli sesi duhet të sillemi në situata më të vështira”, tha Munishi. Në fund, nuk mund të mungonin edhe të qeshurat. A do të jepte para borxh Munishi te njerëzit që do t’i kërkonin për të shkuar në Gjermani?

“Nuk besoj se do të kisha shumë kërkesa pastaj. Kërkesat që do të vinin nga miqtë po, do t’i jepja para miqëve të mi borxh që të shkonin dhe të shihnin Shqipërinë. Se ajo që premtojmë në publik duhet mbajtur pastaj, jo nga njerëzit që unë nuk i njoh fare. Pastaj do të merrnim borxh për të larë borxhet. Është hall vërtet për ata që nuk e kanë mundësinë për të shkuar në Gjermani, është hall serioz”, tha mes të qeshurave Munishi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *