“Silvinjo është si Murinjo”! Sokol Kushta kujton Rejën: E di mirë si tip, torturoi lojtarët e Shqipërisë siç torturoi edhe Lorik Canën te Lacio

Emisioni Koha Shtesë ka pasur këtë herë në intervistë një legjendë të Shqipërisë, Sokol Kushtën. Fjala merr gjithmonë peshë të madha kur del nga goja e figurave të tilla, që kanë shumë për të thënë dhe sigurisht, që ka shumë për të dëgjuar. Kushta ka folur rreth gjithçkaje, në një intervistë dhe analizë të gjatë vetëm për Kombëtaren. (Videon e plotë të intervistës e gjeni më poshtë)

“Unë dua të jap një shembullin tim personal, që tregon shumë për futbollin. Në 1984 unë isha në formacion dhe luaja përpara me Mingën. Në ndeshjen e fundit, miqësore ose përgatitore që bëm në Kavajë, unë dëmtoj kaviljen. Dal nga formacioni dhe bëra një punë shumë të madhe që të hyja në formacion se ndeshjet vazhduan të tilla, që formacioni u konkludua dhe kishte rezultate të mira. Trajneri më la jashtë formacionit, mua ndoshta nuk më pëlqeu në atë moment, por ekipi po arrinte rezultatet e duhura.

Unë jam dashamirës i madh i Brojës. Shqiptarët janë cik të ndjeshëm ndaj lojtarëve që janë pjesë e ekipeve të mëdha. Është rritur te Chelsea dhe jo më kot, e kanë vlerësuar. Por ndonjëherë, mendimet e gazetarëve janë të ekzagjeruara. Sulmet i kanë kthyer në anën e Silvinjos. Unë dhashë vet shembullin tim më parë, atëherë diskutohesha që isha te 2-3 sulmuesit më të mirë të momentit. Por ai dëmtimi im, më largoi nga formacioni.

Atëherë nuk më pëlqente, por sot jam koshient që trajneri nuk ndryshoi formacionin fitues. Nuk po them që Broja nuk ka vend, ai ka vendin e tij, por vendi fitohet me punë, me minuta dhe me gjendje fizike. 2 minutat te Chelsea nuk bëjnë 80 minuta në ekip tjetër. Dëmtimi i Brojës ishte shumë i madh dhe të garantoj që 80% e lojtarëve me dëmtimin e Brojës, nuk janë bërë më. Mos të fillojmë kot me këto historitë që Silvinjo nuk e do Brojën. Ka ndaluar Maradona dhe yje të tjerë dhe futbolli ka vazhduar akoma. Mos të mitizojmë ca gjëra dhe mos ta prishim me thashethemet e lagjes. Unë ngela jashtë atëherë dhe Shqipëria mori rezultate pozitive, grupi fitues nuk mund të prekej, trajnerit i jepte të drejtë rezultati. Futbolli nuk është tenis, është lojë kolektive. Unë ju siguroj se nëse ka njeri pa cepa, pa ego të keqe, pa mllefe është Silvinjo.

Unë vë re tani që edhe shqiptarët e Kosovës kanë nisur të flasin shqipen e pastër. Më përpara, ishin dy veta në një cep, tre veta në një cep tjetër. Dikush fliste gjermanisht, diku italisht dhe flisnin shqipe të çalët. Tani edhe shqiptarët e Kosovës po flasin mirë shqip. Më para nuk komunikonin kështu, flisnin më shumë për ekipet e tyre.

Nëse lojtari kupton se trajneri nuk është intrigant, se nuk është kunjaxhi, se nuk është mendjemadh, se është pro grupit, talentit, atëherë jep 120%. Unë që në stërvitjen e parë të Silvinjos, kam shkruar, ndër të parët, se pashë diçka te ai person dhe reagova pozitivisht. Unë jam ai person që e ka kritikuar Rejën gjithë kohën pasi kam qenë prezent vet kur ishte te Lacio. E kam takuar prezent vet kur ishte Lorik Cana. Reja pothuajse e torturoi te Lacio, se është i tillë tip. Kam qenë me ekipin në hotel, i kam parë sjelljet e Rejës para shumë vitesh dhe njeriu nuk ndryshon me moshë. Isha i sigurt se Reja nuk do të ishte i duhuri për Shqipërinë. U soll me lojtarët e Shqipërisë siç u soll me Lorik Canën te Lacio. Ndërsa Silvinjo është komandant me të drejta të plota. Nuk do të thotë se ai luan me ekipin dhe është ushtar, jo, është komandant.  Mua më kujton Mourinhon, Mourinho është psikolog që i merr lojtarëve gjënë më të çmuar, shpirtin. Është shumë e madhe që ta bësh lojtarin që të jap shpirtin. Silvinjo është gjeneral me sjellje ushtari, kur takon njerëzit, kur vjen në Federatë”, tha Kushta. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *