Egnatia arriti që të fitojë lehtësisht 3-0 kundër Dinamos, në një ndeshje që pritej të ishte disi më e konkurruar. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Paulauskas në minutën e 26. Vetëm pesë minuta më vonë, Zejnullai realizoi një super gol nga goditja e dënimit.
Një ndeshje e mbyllur që në pjesën e parë, ndërsa për të shuar të gjitha shpresat e Dinamos mendoi Krasniqi që mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 72, duke e lënë ekipin me 10 lojtarë. Në minutën e 88, Ahmetaj i dha edhe goditjen e fundit Dinamos. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “MCN TV”:
Di Biago: “Nuk jam i kënaqur me ndeshjen sot, e merituam humbjen. Egnatia ishte shumë më tepër superiore karshi nesh. Ishim mirë deri kur rezultati ishte 1-0, më pas ishim shumë të brishtë. Duhet të vazhdojmë që të punojmë. Sot kemi bërë një hap mbrapa në agresivitet, kemi marrë dy rezultate pozitive para Egnatias. Tani me pushimin që kemi nga Kombëtaret do të rikuperojmë edhe ndonjë lojtar tjetër. Lorenco Vilën e futa për të na dhënë një shtyë më shumë në sulm, më pas kur ngelëm me 10 lojtarë, më duhej të hiqja një lojtar ofensiv për të qenë më shumë në ekuilibër. Zgjodha të hiqja Vilën në vend të Kacorrit, pasi në lojën në ajër, mund të prisnim diçka më shumë nga Kacorri. Kemi pasur edhe disa mungesa të rëndësishme, unë si përgjegjës për situatën duhet të punojë më shumë. Loran si qendërmbrojtës? Nuk kemi kë të fusim në fushë, nëse nuk luan Loran, duhet të futem të luaj unë. Edhe Loran luan mirë, megjithëse nuk është në pozitën e tij më të mirë”.