Ekskluzive/ “Golin e Bajramit e dua para sparkatës së Ismajlit“, Rrakllit “i ikën zëri“ nga Shqipëria: Iu përgjigjëm dhëmbë për dhëmbë çekëve

Shqipëria zhvilloi një ndeshje fantastike në Pragë, ku në fund arrit të merrte një barazim 1-1 ndaj Çekisë. Në të njëjtin nivel me lojën e kuqezinjve ishte edhe atmosfera e tifozerisë shqiptare në stadium. Tifozët shqiptarë ishin të shumtë në numër dhe nuk i kanë ndalur brohorimat përgjatë 90 minutave. Në mesin e tyre ishte edhe një ikonë e sulmit të Shqipërisë, Altin Rraklli. Këtë herë, ish-lojtari i njohur ka dhënë kontributin e tij për Kombëtaren nga shkallët e stadiumit. Dashuria për ngjyrat kuqezi dallohet qartë sapo nisim intervistën me të. Edhe pse kalë kaluar dy ditë që nga ndeshja, zëri i Rrakllit vazhdon të jetë i ngjirur nga brohorimat në mbështetje të ekipit kombëtar.

“Është llogjike. Nuk besoj që ka shqiptarë, në radhë të parë tifozë e sportdashës dhe mbi të gjitha ish-futbollistë të Kombëtares, që ka dhënë djersën për atë fanellë e për atë flamur, që të mos marrë pjesë qoftë në inkurajimin e ekipit kombëtar, qoftë edhe gëzim në momente të caktuara. Ishte një ndjesi shumë e mirë”, thotë Altin Rraklli në lidhje me dashurinë e tij pa kushte për Kombëtaren shqiptare.

I pyetur nga “Sport Ekspres” për mënyrën se si e pa paraqitjen e Shqipërisë në Pragë, ish-sulmuesi thotë se ishte një ndeshje e luajtur mjaft mirë taktikisht dhe që me pak më tepër saktësi mund të ishte fituar.  Rraklli gjithashtu ka folur edhe për pasimin e gabuar të Mirlind Dakut, që mund të vendoste ndeshjen, si dhe për paraqitjen e Elseid Hysajt, i cili ka qenë një nga lojtarët më të kritikuar kohët e fundit në ekipin kombëtar. Në fund, ish-lojtari i Kombëtares bën zgjedhjen e tij mes golit të Nedim Bajramit dhe sparkatës së Ismajlit. Sigurisht, instikti i sulmuesit e dërgon te goli i Bajramit, të cilin e quan si një nga golat më të bukur të shënuar ndonjëherë nga Kombëtarja.

Loja e Kombëtares:

“Nëse do i kthehem edhe njëherë panoramës së ndeshjes, ne ndeshjen do ta kishim fituar në fund fare nëse do të ishin treguar pak më të saktë. I patëm rastet. Me atë lojë që bëmë dhe me një vendosje shumë të mirë taktike në mbrojtje, e detyruar kundërshtarin që të linte hapësira mbrapa. Gjë që po ta kishim shfrytëzuar, do ta kishim fituar ndeshjen. Luajtëm nga ana taktike mirë, jo perfekt, gjë që çoi edhe në marrjen e asaj pike. Skuadra iu përgjigj skuadrës çeke dhëmbë për dhëmbë. Nuk pati diferenca fare, përveç 10-15 minutave, ku më shumë nga gabimet tona që mundoheshim të organizonim sulmin tonë me pasime që nga mbrojtja. E tentuam disa herë dhe ata na morën topin e na rrezikuan. Pjesa tjetër ishte një lojë e barabartë. Skuadra luajti shumë e ngjeshur dhe nuk i krijoi fare hapësira çekëve. Kishim disa kundërsulme, ku mund të ishim treguar më të qartë”.

Rasti i Dakut:

“Duhet të jemi shumë të qartë dhe me këmbë në tokë kur përmendim emrin e Dakut. Ishte ndeshja e tij e parë me ekipin kombëtar. Imagjino emocionet e atij lojtari. Një djalë i ri. Ai e kishte ëndërr Kombëtaren dhe ishte patriot. Të gjitha këto luajnë një rol. Ai në ato momente vendosi ashtu, sepse një lojtar me eksperiencë në ato momente vendos kë ka përpara. Unë të isha një lojtar me eksperiencë do ia jepja Bajramit, sepse duke qenë golashënues, pothuajse lojtari më i mirë i ekipit në ato momente dhe ana morale e tij do të ishte më e mirë. Por ai mendoi që Bajrami ishte pozicion jashtë loje në ato momente. I vetmi gabim që ai bëri, ishte që ia dha topin pak më fortë Mujës. Daku është sulmues tipik i mirëfilltë. Nuk është talenti i tij të shpërndajë topat, është tjetër gjë. Aty duhet një lojtar shumë teknik me topin që të japi pasin. Për shembull Asani, ai do e kishte zgjidhur më mirë atë rast. Nuk duhet gjykuar Daku për atë rast”.

Presingu ndaj Çekisë:

“Duhet të themi një realitet. Çekia nuk është elita e futbollit europian. Hajde bëja presingun ofensiv Anglisë, bëja Francës, bëja Spanjës. A e bën dot? Presingu ultra onfensiv bëhet në raste të caktuara. Edhe Shqipëria disa e herë e bëri. Këtë e bën çdo ekip. Edhe ekipet mesatare e bëjnë. Këtë presing që Shqipëria e bëri në 2-3 raste, patjetër ishte gjë e mirë. Arsyja kryesore që nuk pësuam gol në pjesën e parë ishte fakti që ne, sidomos 4 mbrojtësat, përfshirë dhe Hysajn, që e pashë në një nga ndeshjet më të mira që ka bërë kohët e fundit me ekipin kombëtar, nuk bëri asnjë gabim në vendosje dhe ndërhyrje. Të njëjtën gjë bënë edhe mbrojtësit e tjerë. Kishim një mesfushë të kordinuar që nuk linte asnjë hapësirë“.

Paraqitja e Hysajt:

“Te Hysaj kemi pritur çdo ndeshje a po bën tani, apo po e bën më mbrapa gabimin, që ka kushtuar gjithmonë gola. Jo vetëm kaq, por edhe si mënyrë loje nuk ka qenë në ato nivele që e presim dhe që e shohim në Itali. Ai pardje ka bërë një nga ndeshjet më të mira. Ai gabim i vogël që për pak na kushtoi, nuk duhet të merret në kosideratë, duke pasur para sysh atë ndeshje që zhvilloi“.

Goli i Bajramit apo sparkata e Ismajlit?

“Për rezultatin e një ndeshjeje duhen të dyja. Unë jam sulmues, kam qenë gjithë jetën sulmues. Ai ishte nga golat më të bukur që ka bërë ndonjëherë ekipi jonë kombëtar. Ai na ndezi. Edhe nga ndërhyrja e Ismajlit u ngritën të gjithë në këmbë, sepse ishte një ndërhyrje fantastike. Por goli të jep tjetër entuziasëm”, ka përfunduar Altin Rraklli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *