Ernest Muçi po tregon gjithnjë e më tepër aftësitë e tij te Legia e Varshavës. Ndikimi i tij në ekipin polak po rritet dita-ditës, duke u kthyer në një nga lojtarët me potencialin më të madh për klubin. “TVP Sport“ e konsideron sulmuesin shqiptar si armën sekrete të Silvinjos në përballjen e nesërme me Poloninë. Media në fjalë ka intervistuar kapitenin e Legias së Varshavës, i cili i ka thurur elozhe Ernest Muçit. Josue ka deklaruar se nëse 22-vjeçari shqiptar do të arrijë të ruajë vazhdimësinë, atëherë mund të bëhet transferimi më i shtrenjtë në historinë e Legias së Varshavës.
“Muçi është një lojtar i vlefshëm në ekipin tonë, por ai mund të bëjë edhe më shumë. Ai mund të jetë lojtari udhëheqës i Legias në shumë ndeshje. Ka shumë avantazhe: këmba e majtë, këmba e djathtë, shpejtësia… Ai ka gjithçka për hapin e radhës. Aftësitë e tij janë të çmendura dhe është një kënaqësi të luaj me të dhe të shoh se çfarë bën në fushë. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme për të që të arrijë vazhdueshmërinë dhe pjekurinë e duhur. Ky është një aspekt që ka nevojë për përmirësim.
Nëse kjo ndodh, jua siguroj që do të jetë një nga lojtarët që do të shitet më shtrenjtë në historinë e Legias. Ai që tani mund të jetë një “top” lojtar në fushë. Mund të përfundojë në një klub të madh në të ardhmen. I uroj që të transferohet për dhjetra milionë euro një ditë. Ai ka potencial të madh dhe mund të arrijë larg. Kjo kërkon pjekuri dhe rritje të rolit të tij në skuadër. Ai do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekipin”, ka thënë Josue./Halit Delibashi-Sport Ekspres/