Çekët e kishin marrë shumë lehtë ndeshjen me Shqipërinë. Ashtu siç kemi raportuar më parë, të gjithë kishin bindjen e plotë në Pragë se Kombëtarja e tyre do të fitonte kundër kuqezinjëve. Në rastin e opinioneve më pesimiste, çekët do të fitonin me një gol diferencë.
Pas barazimit të djeshëm, mediat sportive në atë vend e kanë komentuar si një turp të madh faktin se nuk fituan dot kundër Shqipërisë. Por ish-lojtari i Çekisë, Frantisek Straka, e ka komentuar ndryshe takimin, megjithëse para ndeshje ishte shprehur se shqiptarët ishin surprizë e madhe për të, por sipas tij çekët do të na dërgonin atje ku ne e kishim vendin.
“Ne ndoshta të gjithë prisnim ta mposhtnim Shqipërinë. Ne ende e mendojmë Shqipërinë si një “xhuxh”, por ajo nuk është më e tillë. Ajo ka lojtarë të shkëlqyer, por gjithsesi duhet ta kishim arritur fitoren.
Ne e kemi humbur pjesën e parë. Ku ishte ai presioni, ai agresiviteti, puna me hapësirën? Si dhe me çfarë donim që ta detyronim kundërshtarin që të gabonte? Nuk mund të ndodhi që të mos fitojmë ndeshje të tilla në shtëpi. Po, Shqipëria ishte e mirë, por në fund patën vetëm një ose dy gjuajtje në portë”, tha Straka. /Sport Ekspres/