Shqipëria do të ketë dy përballje vendimtare në muajin shtator, kundër Çekisë dhe Polonisë. Legjenda e Kombëtares, Altin Rraklli, ka folur në “Sport Ekspres” për këto dy takime. Rraklli është shprehur se këto nuk janë takimet finale pasi ka edhe disa ndeshje të tjera që do të vendosin për fatet e grupit.
“Dy ndeshje finale nuk do t’i quaja këto të shtatorit, pasi e kemi parë se çfarë ka bërë Moldavia, nuk do t’i quaja dy ndeshje finale, për ne çdo ndeshje është finale deri në fund. Ky grup ka treguar se çdo gjë është e mundur. Shqipëria ka treguar stabilitet dhe qëndrueshmëri deri tani. Duhet me patjetër që të mos humbasësh këtë ndeshje të parë në transfertë. Cekia mund të shfaqi disa shenja nënvlerësimi për Shqipërinë, ndërsa polakët do të vijnë në Shqipëri me maksimumin e tyre, kjo është e sigurt. Unë do të shkoj në stadium për të parë ndeshjen, me familjen, sepse e kam afër stadiumin. Shpresoj se minimumi një barazim do ta marrim”, tha Rraklli.
Ndërkohë në bazë të llogarive, nëse Shqipëria fiton me Poloninë dhe merr të paktën një pikë me Çekinë në Air Albania dhe nga ana tjetër nuk gabon kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, e lë Poloninë pas vetes, edhe sikur kjo e fundit t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura. Pra në këtë rast përfshijmë edhe humbjen e Shqipërisë në transfertën me çekët. Por për Altin Rrakllin nuk duhet të ketë kompromise të tilla, për të mos dhënë maksimumin në ndeshjen e parë dhe për t’i shpenzuar të gjitha forcat kundër polakëve në “finalen” e Air Albania.
“Mua më duket komplet gabim që të bëjmë llogari matematikore. Cekia nuk është ekip që nuk thyhet dot. Nëse futem me mentalitetin që Cekia ka mbaruar dhe të merremi me vendin e dytë, është komplet gabim. Ne duhet t’i marrim maksimumin. Nuk mund të bëjmë llogari të tipit po futemi dhe po humbim me Cekinë, që të fitojmë me Poloninë pastaj. Nuk e konceptoj dot që të mendojmë direkt për Poloninë. Po ky rivali që ne e llogarisim të parin la pikë me Moldavinë, në një ndeshje katastrofë se e pashë vet. Ky kundërshtar ka dobësi, nëse ti je kompakt në mbrojtje dhe nuk lë hapësira, ka shumë probleme që të rrezikoj. E jap unë me garancinë time që nëse deri në minutën e 60 ata nuk kanë shënuar gol, ne i kapim në kundërsulm me lojtarët që kemi dhe do kemi shumë mundësi për të fituar ndeshjen. Nuk është Cekia si Franca apo Spanja, që ta bëni të pamundur. Nuk është i atij niveli që të krijojë 20 raste dhe ty vetëm fati mund të shpëtojë”, u shpreh Rraklli.
E teksa e pyesim për formacionin e tij ideal te Kombëtarja, legjenda e Kombëtares nuk dëshiron të shprehet pasi kërkon të respektojë kolegun e tij, Silvinjon. Megjithatë ka dy lojtarë të preferuar që nuk do t’i ndante nga 11-shja: “Formacionin nuk ua them dot, por një dyshe lojtarësh që nuk do t’i lija në stol janë Ernest Muci dhe Kristjan Asllani”, përfundoi Rraklli. /Sport Ekspres/