Kamil Grosiçki është thirrur për herë të parë në Kombëtaren polake dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjet me Ishujt Faroe dhe me Shqipërinë. Lojtari polak është paraqitur në konferencë për shtyp përpara gazetarëve, ku ka shprehur besimin e tij se Polonia do të dalë me 6 pikë nga dy sfidat e shtatorit. Grosiçki duket se nuk trembet as nga stadiumi i stërmbushur që e pret në Shqipëri, teksa beson se Kombëtarja e tij do të sigurojë dy fitore në këtë grumbullim.
“çfarë ka ndodhur i përket të shkuarës. Tani duhet të shohim përpara dhe të jemi pozitivë. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme për të fituar. Rezultatet krijojnë gjithmonë një atmosferë të mirë. Kohët e fundit forma e ekipit kombëtar nuk ka qenë më e mira, por ne duhet të shohim përpara dhe të bëjmë gjithçka për të marrë 6 pikë. Unë besoj se do ta bëjmë këtë gjë”, ka deklaruar ndër të tjera Kamil Grosiçki./Halit Delibashi-Sport Ekspres/