Skënderbeu dhe Dinamo janë përballur mbrëmjen e sotme në javën e dytë të “Abissnet Superiore”-s. Korçarët po tregojnë forcën e tyre në elitën e futbollit shqiptar, ku duket se synojnë të mbërrijnë sa më lart. Bardhekuqtë kanë mposhtur sot Dinamon me rezultatin minimal 1-0. Ndeshja u vendos nga Behiratçja, i cili në minutën e 48 e dërgon topin në rrjetën e tij. Pas përfundimit të takimit, trajnerët kanë dhënë përshtypjet e tyre për emicionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Di Biaxho (Dinamo): “Luajtëm një pjesë të parë të mirë, kur meritonim edhe avantazhin. Nuk mund të jem i kënaqur kur në dy javë kemi 0 pikë. Në pjesën e dytë nuk kemi bërë lojë të mirë, megjithëse kemi pasur tre raste të pastra përpara porte. Është një skuadër që po lind së fundmi, që po rritet. Ndoshta sot meritonim diçka më shumë. Është e vështirë ta shpjegoj këtë ndeshje. Në pjesën e parë bënë atë që i kërkova. Në pjesën e dytë duhet të ishim më të shpejtë, më të rrjedhshëm. Nëse shihni këto dy ndeshje dhe i thoni dikujt se kjo skuadër ka 0 pikë, nuk do ta besojnë. Ajo që peshon është goli, që nuk po vjen. Ndoshta do të vijnë ndeshje kur do të prodhojme 3-4 raste dhe do të shënojmë, gola”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Ishim me besim se do të bënim mirë nga java në javë. Por nuk e dinim se do të fitonim. Jemi të kënaqur edhe me lojën, edhe me pikët. Por kanë kaluar vetëm dy javë. Nuk dua të bëj eufori, sepse kampionati shqiptar është shumë i vështirë. Do të shikojmë në javën e tretë dhe në javën e katërt. Nuk mund të them akoma për objektivat. Kanë kaluar vetëm dy javë. Për momentin jemi shumë të lumtur. Sot fitoi futbolli. Unë do luftoj me të gjithë. Edhe Egnatia me Tiranën janë ekip i fortë“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/