Grintë, emocione, raste, 3 penallti dhe 5 gola të shënuar. Derbi i kryeqytetit dhuroi gjithçka në këtë javë të parë të “Abissnet Superiore”-s. Tirana arriti të dilte me tre pikët nga “Elbasan Arena”, teksa mposhti me shifrat 2-3 Dinamon. Ishte një gol i ardhur nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 90 ajo që i dha fitoren bardhebluve. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Shehi (Tirana): “Kjo është e rëndësishme, ta fillosh kampionatin me fitore, edhe pse ka ende problematika. Problemi më i madh mendoj që nuk është kur kemi topin në këmbë, por kur humbim topin. Kur humbim topin nga këmbët, humbim edhe ekuilibrat. Kemi vështirësi dhe do t’i përmirësojmë në ditët në vijim. Mbrojtësat duhet të shkonin më shpejt në presion. Kaçorri është një pykë e fortë. Najdovski për tre javë pas Europës nuk është stërvitur fare. Është me pesë ditë stërvitje. Europa nga kampionëti ndryshon. Florenti, nga dita në ditë, mund të lëvizë. I kam thënë që deri në datën 31 do të menaxhojmë mirë cilësinë e tij. Në datën 31 do të mësojmë se çfarë do të bëhet me të. Kur e takova në fillim e urova për ardhjen e tij në Shqipëri. Mendoj që emra si Di Bixhio e rrisin futbollin shqiptar. Ne jemi rritur me kampionatin italian, që në atë kohë ka qenë kampionati më i mirë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/