Partizani do të luajë kundër Astanës në “Play Off” të Conference League. Kampionët e Shqipërisë janë shumë pranë shkrimit të historisë dhe përfitimeve të mëdha në arkat e klubit. Realiteti i futbollit shqiptar është i ditur, nuk janë të shumta përfitimet që vijnë gjatë sezonit. Për këtë arsye te Partizani do të provojnë gjithçka munden për të kaluar në grupet të Conference League.
Pengesa e vetme quhet Astana, ekipi i njohur nga Kazakistani. Kjo skuadër vjen nga një moment jo i mirë, aq sa po diskutohet edhe për shkarkimin e trajnerit në rast të humbjes me Partizanin. “Sport Ekspres” ka intervistuar një prej gazetarëve të njohur në Kazakistan, Yerden Zhalgassov, i cili shpreh sigurinë se Astana do të kalojë më tej.
“Të jemi i sinqertë, tani e dëgjova Partizanin për herë të parë. Nisa të shihja për këtë skuadër kur mësova se do të luajë me Astanën. Atje pashë se Partizani ishte një nga ekipet më të vjetra dhe më të suksesshme në historinë e Shqipërisë. Sa i përket Astanës, nuk mund të thuhet se ky sezon ka nisur mirë për të. Ka humbur shumë pikë në kampionat dhe diferenca e vendit të parë është rritur. Në Europë, Astana ishte e pafat në short, Dinamo Zagreb dhe Ludogorest.
Askush nuk e dyshon që Partizani është i aftë të eliminojë Astanën. Është një klub i fortë dhe së fundmi luajti kundër Romës. Në këtë fazë dhe pikë ku jemi, nuk ka më ekipe të dobëta. Partizani ka arritur në Play Off të Conference League dhe kjo tregon shumë. Është e vështirë që të bëj parashikime për këtë ndeshje. Por për mua Astana do të eliminojë Partizanin dhe do të shkojë në grupe. Astana ka një ekip që kushton më shumë se Partizani, ka lojtarë më cilësorë dhe me më shumë eksperiencë. Astana do të fitojë ndaj Partizanit me një rezultat të mirë. Ne kemi një fushë artificiale këtu dhe tifozë të zhurmshëm. Dhe gjithashtu Partizani do të ketë një fluturim të gjatë deri këtu. Mendoj se Astana do t’i zgjidhë të gjitha çështjet në ndeshjen e parë në shtëpi”, tha Zhalgassov. /Sport Ekspres/