UEFA Futsal Champions League / FSHF mirëpret në Tiranë duelet e Grupit H. Ka ndryshime në kalendar, të mërkurën sfida e parë

Gjithçka gati për të mirëpritur ndeshjet e Grupit H të fazës para-eliminatore të Futsal Champions League 2023/24, që do të luhen në Tiranë e nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Të gjitha takimet do të luhen në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit, ndërkohë që UEFA ka njoftuar të palët për një ndryshim në kalendarin e grupit.

Skuadra Cefn Druids nga Uellsi është tërhequr nga gara dhe nuk do të marrë pjesë në këtë turne, duke bërë që Grupi H të mbetet me vetëm tre ekipe e më konkretisht Tirana Futsal, KMF Radnik Bijeljina (Bosnje-Hercegovinë) dhe Sparta Belfast (Irlanda e Veriut).

Nga 6 takime që ishin parashikuar në total do të luhen vetëm tre tilla, me sfidën hapëse që do të luhet të mërkurën e 23 gushtit mes KMF Radnik Bijeljina dhe Sparta Belfast, që do të nisë në ora 17:00.

Më 24 gusht do të luhet ndeshja Tirana Futsal – Sparta Belfast, duke filluar nga ora 20:45, kurse sfida e treta që mund të vendosë fatet e grupit do të luhet më datë 26 gusht, Tirana Futsal – KMF Radnik Bijeljina në ora 20:45.

Në këtë fazë do të marrin pjesë 32 skuadra europiane të ndara në 8 grupe me katër ekipe secila dhe në turin tjetër kualifikohen 9 ekipe, e më konkretisht 8 skuadrat e renditura në vendet e para dhe vendi i dytë më i mirë nga të gjitha grupet. Ky është edicioni i tretë radhazi që ndeshjet e njërit prej grupeve të Futsal Champions League zhvillohen në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *