Përfundon me sukses edicioni i 5-të i kursit për video-analistë, shpërndahen diplomat për 25 pjesëmarrësit

Është zhvilluar sot ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit që mbyllën me sukses edicionin e pestë të kursit për video-analistë futbolli të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë ceremoni, përveç drejtuesit të projektit Alarico Rossi, ishin të pranishëm edhe Drejtori Teknik, Fulvio Pea, Drejtori i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova si edhe zyrtarët e FSHF-së, Alban Tafaj e Sulejman Mema.

Profesioni i video-analistit të futbollit sa vjen e bëhet më i kërkuar në stafin teknik të çdo skuadre me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe rëndësisë që ka marrë analiza e statistikave të çdo skuadre para ndeshje.

Video-analisti bën kërkime, mbledh, analizon dhe siguron të gjitha llojet e informacionit për stafin e tij, lojtarët dhe drejtuesit. Është një figurë e pranishme në të gjithë stafet e nivelit profesionist në futbollin ndërkombëtar dhe që luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në çdo klub, teksa në Shqipëri, përveç ekipeve Kombëtare, së fundmi kjo figurë është integruar edhe në klubet e Kategorisë Superiore dhe rezultatet kanë qenë mjaft pozitive.

Në këtë edicion morën pjesë 25 kursantë, ndërsa e veçanta është se në këtë ceremoni u dha edhe diploma e 100-të e video-analistëve të përgatitur nga shkolla e FSHF-së, që siç e thotë edhe përgjegjësi për video-analizën në FSHF, Alarico Rossi, po kthehet në një histori suksesi. Rossi, njëkohësisht video-analist i Kombëtares, thekson se ata që mbarojnë shkollën e FSHF-së po punojnë tashmë edhe në klube të huaja.

“Nga sot ne kemi 100 video-analistë futbolli në Shqipëri dhe është një rezultat shumë i rëndësishëm, sepse është një projekt afatgjatë dhe jo diçka e nisur sot për sot e sigurisht vlen edhe për të ardhmen. Sot ne zhvilluam ceremoninë e diplomimit për edicionin e pestë të kursit për video-analistë që organizon FSHF. Ne kemi parë që disa ekipe europiane kanë afruar në stafet e tyre video-analistë nga Shqipëria dhe tani klubet shqiptare duhet të kenë një video-analist në stafet e tyre dhe është një pozicion shumë i rëndësishëm për të rritur kualitetin në punën e stafeve teknike. Ne punojmë me Drejtorin Teknik, Fulvio Pea dhe Drejtorin e Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova për të organizuar një tjetër kurs shumë shpejt apo edhe disa aktivitete të tjera për video-analistë, jo vetëm për kategorinë “Abissnet Superiore” por edhe për të gjitha nivelet nga moshat e deri te elita”, – tha Alarico Rossi për Fshf.org.

Një nga kursantët e këtij edicioni, Martin Lulgjuraj, ka vlerësuar vizionin e FSHF-së për të mbështetur fuqimisht projekte inovatore për futbollin dhe një këtë profesion, që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm në botën e futbolllit.

“Kam mësuar për projektin e FSHF-së për video-analistë dhe mu duk një projekt vizionar për të ardhmen, që mund të ndihmojë për ecurinë e futbollit shqiptar. Ky është një nga projektet që të ofron një profesion që mua më ka tërhequr shumë, sepse këtu shikohet dhe puna e trajnerit, por edhe analizohet mbi të gjitha dhe puna e trajnerit për vijueshmërinë e rezultateve. Shpresoj që ky projekt të ndihmoj në rritjen e futbollit shqiptar dhe FSHF-në. Mund të them se eksperienca e këtij kursi është shumë e vlefshme dhe pasur me informacionin që kemi marrë nga lektorët, unë personalisht do të vazhdoj të fokusohem në këtë profesion dhe pse jo të vazhdoj të ndihmoj FSHF-në dhe ekipet kombëtare”, – thotë Lulgjuraj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *