Shqipëria do të publikojë së shpejti listën e lojtarëve sa i përket dy ndeshjeve të shtatorit, kundër Çekisë dhe Polonisë. Pikëpyetja më e madhe është ajo e sulmit pasi në repartet e tjera nuk pritet të ketë surpriza. Armando Broja pritet të mungojë edhe këtë herë pasi Chelsea nuk e lejon nga frika e përsëritjes së dëmtimit.
Londinzët po vuajnë për sulmues në këto momente dhe i kanë shpresat te Broja. Nëse sulmuesi shqiptar do të dëmtohej në këtë moment, për Chelsea do të ishte fundi. Për këtë arsye Shqipëria po vazhdon që të bisedojë me londinezët për të lënë Brojën të lirë, por deri tani, shpresat janë të pakta.
Nga krahu tjetër Silvinjo ka në listën e tij dy emra si Xhakomo Vrioni dhe Mirlind Daku. Të dy lojtarët janë duke u menduar nga braziliani sipas informacioneve të siguruara nga Sport Ekspres, por nuk dihet ende nëse dikush prej tyre do të jetë në listën e pritjes apo nëse mund t’i kemi të dy sulmuesit në listën kryesore. /Sport Ekspres/