Teksa po i afrohemi gjithmonë e më shumë ndeshjeve të shtatorit, po bëhet disi e qartë lista e Silvinjos te Shqipëria. Një prej emrave që pritet të vijë është edhe Bekim Balaj. Nuk është një emër ekzotik për tifozët e Kombëtares duke parë brezin e ri dhe ekipet nga po vijnë, në elitën e Europës.
Bekim Balaj ka qenë zhgënjim te Vllaznia në sezonin që lamë pas duke mos bërë dot diferencën në elitën e futbollit shqiptar. Për këtë arsye, një emër si Marvin Cuni i Frosinones në Serinë A mund të ishte më shumë tërheqës se Balaj.
Por nga ana tjetër Silvinjos njihet edhe si një trajner i detajeve me aq sa kemi parë tani te Shqipëria dhe Bekim Balaj është rasti konkret. Duke parë se çekët i shënojnë shumë prej golave të tyre në duelet ajrore, me krosime, Silvinjo kërkon të punojë shumë në këtë drejtim.
Nëpërmjet Bekim Balajt do të aplikohen shumë prej skemave stërvitore të mbrojtjes në mënyrë që Gjimshiti, Ismajli dhe dy mbrojtësit anësorë të vendosen gjithmonë në provë nga një sulmues shtatlartë dhe me eksperiencë. Për këtë arsye Balaj do të ketë shumë vlerë për Silvinjon në stërvitje sa i përket ndihmës që do t’i japi në përgatitje mbrojtësëve të Kombëtares. /Sport Ekspres/