Qazim Laci ishte i magjishëm në ndeshjen e djeshme. Mesfushori shqiptar shkëlqeu duke dhënë tre asiste vetëm në pjesën e parë në përballjen mes Jablonec dhe Spartës së Pragës, e mbyllur me shifrat 1-5.
Asisti i parë i tij dhe i fundit ishin shembulli më i mirë për të treguar sesa klas ka në këmbët e tij ky lojtar. Por veçanërisht i pari, është nivel tjetër. I ndodhur në gjysmëfushën e tij, Laçi nuhati situatën dhe vetëm me një pasim nxori huq gjithë ekipin kundërshtar.
Menjëherë pas ndeshjes, mesfushori i Shqipërisë u shpreh se ishte hera e parë në karrierë që jepte 3 asist në vetëm 45 minuta. “Vërtet nuk më kujtohet që të kem dhënë tre asist kështu. Sigurisht, nuk më ka ndodhur më parë. Jam shumë i lumtur për mënyrën sesi kemi luajtur. Në ndeshje të tilla duhet që të shënosh sa më shpejt”, tha Laci. /Sport Ekspres/