Partizani arriti të fitonte me shifrat 2-1 ndaj Valmieras në transfertë. Kjo ndeshje ishte me dy fytyra për të kuqtë. Pavarësisht se rivali dukej shumë poshtë kampionëve të Superiores, pjesa e parë foli për vendasit. Partizani kontrollonte topin pa rrezik, ndërsa vendasit rrezikuan edhe pa qenë shumë në qarkullim të lojës.
Derisa mbërriti goli i parë nga distanca. Pjesa e dytë ishte e gjitha e Partizanit teksa të kuqtë e tentuan golin me të gjitha mënyrat, duke gjetur dy realizime. Pavarësisht se për të gjithë ata që e panë këtë takim Partizani është dukshëm favorit për të kaluar në Play Off të Conference League, trajneri i Valmieras, Jurgis Kalns, mendon të kundërtën.
Madje Kalns thotë me siguri se pas ndeshjes së parë ka shumë besim se Valmiera do të kalojë më tej. Po aq interesant ishte plani i treguar nga trajneri. Kalns shprehet se i kishte thënë lojtarëve që të qarkullonin topin sa më shumë që t’i fusnin frikën Partizanit, për t’i dhënë panoramën e gabuar të një ekipi të frikshëm. Por sapo terreni u lëshua në pjesën e dytë, ashtu siç e pranon edhe vetë Kalns, Valmiera u zbulua se nuk ishte edhe aq i frikshëm.
“Pjesa e parë ishte shumë e mirë, mendoj se ishim skuadra më e mirë në fushë. Më pas e ulëm pak ritmin, mesfusha nuk doli më para, gjunjët na lanë. Kundërshtari ndjeu se mund të luante. Ishte ajo për të cilën kisha folur më parë, duhet të luanim me topin që rivali të na kishte frikë. Ia dolëm mban në pjesën e parë, bindshëm madje. Pastaj bëmë gabime fëminore dhe Partizani kuptoi se mund të luante, në pjesën e dytë e ndjeu plotësisht.
Në fillim të pjesës së dytë, Gustavo pati një rast për të shënuar golin e dytë në një episod të mirë. Unë mendoj se nëse do të kishte ndodhur kjo, loja do të kishte përfunduar shumë ndryshe. Ndjeva kontrollin e topit pastaj që nuk ishte si më parë, ndieva se Partizani filloi ta kuptonte se mund të luante kundër nesh, se ne nuk ishim edhe aq të frikshëm. Ne treguam një lojë krejtësisht ndryshe nga më parë. Pësuam dy gola që nuk dua as t’i komentoj, nga dy episode, lojtarët tanë rrëshqitën dy herë, ishin gola “budallenj”, në një ndeshje që duhej ta fitonim ne. Ka një ndeshje të dytë dhe me atë që pashë unë nga ndeshja jonë, jam pozitiv se do të kalojmë ne në turin tjetër”, tha Kalns. /Sport Ekspres/