PROFIL/ “Marvin Halandi”! Do të luajë në Serinë A këtë sezon, njihuni me lojtarin e Shqipërisë që pritet të debutojë në listën e Silvinjos

Lista e Shqipërisë në shtator pritet që të shihet me kërshëri të madhe. Pavarësisht se do të luajmë dy finale të mëdha kundër Çekisë dhe Polonisë, mund të kemi disa ndryshime. Të paktën dy prurje të reja dhe debutuese priten që të jenë te kuqezinjtë.

Më herët kemi folur për ardhjen e Arbnor Mujës dhe pastaj kalimi i Marvin Cunit në Serinë A, duhet të shoqërohet me një ftesë nga Silvinjo. Pa harruar edhe sulmuesin Mirlind Daku, por ky i fundit e ka lënë ende të hapur çështjen mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Le të ndalemi pak te Marvin Cuni. Trajneri i Frosinone i habiti të gjithë kur vendosi një bast personal te një lojtar që kishte luajtur së fundmi te Saarbrucken në Gjermani, në një kampionat me nivel jo shumë të lartë. Jo vetëm kaq, Cuni i ka nisur thuajse të gjitha miqësoret e Frosinones nga minuta e parë.

Kjo tregon se ky futbollist po projektohet për të qenë titullar i padiskutueshëm në këtë sezon. Sa i përket fizikut dhe pamjes së jashtme, mund ta quajmë edhe “Marvin Halandi”. Me shumë kureshtje kemi parë edhe miqësoren e parë të vërtetë të Frosinones në ditën e djeshme kundër Salernitanës.

Më herët Cuni kishte shënuar në çdo takim, por Frosinone ka luajtur ndaj ekipeve gjysmë amatore. Ajo që është parë në ditën e djeshme ishte potenciali që zotëronte në këmbë Marvini. Në disa momente 22-vjeçari provonte edhe mënyrën sesi Armando Broja shkëputet nga kundërshtarët e tij, me një lëvizje të bukur duke e kaluar topin në anësore, për t’i lënë targën rivalëve.

Por Cuni në ndryshim nga Broja, nuk e ka të njëjtën shpejtësi. Nuhatja dhe ngjashmëria ishte e madhe, Marvini mund të arrijë në këtë nivel të lartë. Madje edhe trajneri i Frosinones, Di Francesco, e tha në intervistë pas ndeshjes me Salernitanën:

“Po e filloj me Marvin Cunin. Duhet të jetë më i vendosur para porte, por është lojtar që shtyn lart dhe është pikërisht lojtari që na duhej. Jam shumë i kënaqur me ndikimin që ka pasur. Mos harroni se nga ka ardhur. Ka shumë potencial dhe do ta shihni”, tha Di Francesco.

Pra Cuni duket të jetë si një diamant i papërpunuar, ku duhet dhënë forma e duhur, por vlera mbetet aty. Një tjetër pikë që duhet të punojë është edhe konkretizimi i rasteve para portës pasi mund të bëjë më shumë. Nëse flasim për tani, Cuni është një lojtar i zakonshëm. Nëse flasim për të ardhmen dhe atë që mund të bëhet, Marvini ka mundësinë që të jetë një prej sulmuesve kryesor që mund ta dërgojë Shqipërinë larg. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *