Harry Maguire është një nga lojtarët që është kritikuar së tepërmi në vitet e fundit te Manchester United-i. Tifozët e kanë kryqëzuar shpesh për gafat e tij në mbrojtje, duke mos e justifikuar aspak faktin se është mbrojtësi që është transferuar për shifrën më të madhe të parave në Premier League. Trajneri Ten Hag ka vendosur t’i heqë Maguire-t shiritin e kapitenit, gjë të cilën e komunikon vetë futbollisti anglez përmes faqes së tij zyrtare në “Twitter”.
“Pas diskutimeve me menaxherin sot ai më ka informuar se do të ndryshojë kapiten. Ai më përshkroi arsyet e tij dhe ndërsa unë personalisht jam jashtëzakonisht i zhgënjyer, do të vazhdoj të jap gjithçka sa herë që vesh fanellën. Kështu që doja të them një falenderim masiv për tifozët e Manchester United për të gjithë mbështetjen e tyre të shkëlqyer gjatë kohës që mbaja shiritin në krah.
Që nga dita kur mora rolin, tre vjet e gjysmë më parë, ka qenë një privilegj i madh të drejtoja Manchester United dhe një nga momentet më krenare të karrierës sime deri më sot. Është një nga nderimet më të mëdha në futbollin e klubeve. Unë kam bërë gjithçka që kam mundur për të ndihmuar Unitedin të jetë i suksesshëm – brenda dhe jashtë fushës. Unë do t’i jem gjithmonë mirënjohës Ole Gunnar Solskjaer që fillimisht më dha përgjegjësinë dhe i uroj kujtdo që ta marrë atë tani çdo sukses dhe ata do të kenë mbështetjen time të plotë“, ka shkruar Harry Maguire./Halit Delibashi-Sport Ekspres/