“Erdhi dhe na tregoi lojtarë shqiptarë që as ne si njihnim”! Zbulohet biseda e parë e Silvinjos me Nedim Bajramin, 40 minuta takim dhe i tregonte video leksionesh

Silvinjo ka ngritur peshë zemrat e shqiptarëve dhe ka rritur entuziazmin e tifozëve. Trajneri brazilian po korr jo pak rezultate pozitive, ndërsa ajo që ngroh më shumë është mënyra sesi paraqitet Kombëtarja. I ftuar në “Procesi Sportiv”, Altin Taho, njeriu që solli Silvinhon në Tiranë ka treguar disa prapaskena.

“Kur i thamë për Shqipërinë atëherë, e njihte si vend vetëm nga ana gjeografike, nuk dinte asgjë për futbollin tonë. Na tha të prisnim pak dhe kur e takuam prapë, na solli një listë të madhe me lojtarë që disa prej tyre edhe neve na kishin humbur nga radari. Kjo na la shije të mirë dhe na bindi se kjo ishte zgjedhja e duhur.

Kur Nedim Bajrami ka ardhur për herë të parë në Tiranë që të takonte Silvinjon, trajneri ynë e ndali dhe bëri biseda 40 minuta me të. I tregonte video sesi duhej të sillej edhe për të mbrojtur sa më mirë, pasi dihet që Bajrami çalon pak nga ky drejtim. Donte që të mbronte në mënyrën e duhur dhe po ta vini re në dy ndeshjet e fundit, Shqipëri sa e humbte topin, e rikuperonte menjëherë”, tha Taho. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *